Sekretet e Argjentinës drejt Botërorit të radhës, Messi nuk heq dorë nga bestytnitë
Lionel Messi është sërish pranë një tjetër mundësie historike në karrierën e tij. Një finale e re e Botërorit e ndan kapitenin argjentinas nga një tjetër trofe i madh, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Katar në vitin 2022. Tashmë, në finalen e zhvilluar në New York, Messi synon të përsërisë lavdinë dhe t’i japë Argjentinës një tjetër kurorë botërore.
Pavarësisht moshës 39-vjeçare, ylli argjentinas vazhdon të jetë lideri i skuadrës dhe një nga lojtarët më vendimtarë në ndeshjet e mëdha. Statistikat e tij në finale janë mbresëlënëse. Katër finalet e fundit me kombëtaren i ka fituar të gjitha, duke nisur nga Finalissima 2021, Botërori 2022 dhe dy edicionet e Kupës së Amerikës.
Megjithatë, rruga e Messit drejt suksesit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Përpara kësaj periudhe triumfuese, ai kishte humbur katër finale radhazi me Argjentinën, mes tyre finalet e Kupës së Amerikës në 2007, 2015 dhe 2016, si dhe atë të Botërorit 2014 ndaj Gjermanisë.
Në gjithë karrierën e tij, mes Barcelonës dhe kombëtares, Messi ka luajtur 43 finale dhe ka fituar 30 trofe, duke treguar një efikasitet të jashtëzakonshëm në momentet vendimtare.
Përpara finales së re, në kampin argjentinas besojnë edhe te ritualet që sipas tyre kanë sjellë fat në sukseset e fundit. Messi ka ruajtur disa zakone nga periudha para triumfit në Katar, madje edhe postimet e tij në rrjetet sociale kanë ngjashmëri me ato të vitit 2022.
Edhe skuadra ka zgjedhur të qëndrojë në të njëjtin hotel ku kishte qëndruar gjatë rrugëtimit drejt suksesit në Kupën e Amerikës 2024. Përveç vendit të akomodimit, janë ruajtur edhe disa detaje të tjera si ndarja e dhomave mes lojtarëve.
Në finalet e karrierës së tij, Messi ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 17 asistime, duke dëshmuar edhe një herë ndikimin e tij në sfidat më të rëndësishme.
Përballja në New York mund të jetë një nga shanset e fundit të Messit për të fituar një tjetër trofe madhor me Argjentinën dhe për të shtuar edhe më shumë legjendën e tij në futbollin botëror.
KOHA JONË SONDAZH

