Serbët kërkojnë suksesin e Shqipërisë, Ivanoviç: Serbia mund të ndalë Ronaldon
Portugalia ka lojtarin më të mirë në botë, Cristiano Ronaldon, por Serbia është mjaftueshëm një skuadër e mirë për ta ndalur atë në kualifikueset e “Euro 2016”, ndeshje që do të luhet të djelën në Lisbonë. Kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç thekson para ndeshjes se mund t’ia dalë ekipi i tij, sikurse Shqipëria për të fituar në Portugali. Portugezët janë të dytët në Grupin I, me 6 pikë pas tre ndeshjeve, dhe kanë një pikë më pak se Danimarka kryesuese, ndërsa serbët janë në vend të katërt, me një pikë pas tre ndeshjeve. Shqipëria ka katër pikë, ndërsa edhe Armenia ndodhet në pozitat e një pike. Lojtari i Çelsit, Ivanoviç, e di se Serbia duhet të bëj diçka ekstra në stadiumin “La Luz” për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. – “Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për të ardhmen tonë, sepse pas tre ndeshjeve të para ne parashikonim të merrnin më tepër se një pikë,” – theksoi mesfushori serb. –“Ronaldo është një ndër lojtarët më të mirë në botë, në historinë e futbollit dhe nuk është e lehtë të ndalet ai,” – shtoi kapiteni i Serbisë. – “Portugalia ka një ekip shumë të mirë, por humbja me Shqipërinë, 1-0, në ndeshjen e parë tregoi se nuk është e pathyeshme,” – shprehet Ivanoviç. Në këtë takim do të debutojë edhe trajneri i ri i Serbisë, Radovan Curciç, i cili zuri vendin e Dick Advocaat në muajin nëntor, pasi holandezi dha dorëheqjen me humbjen që pësoi nga Danimarka, 1-3, brenda në fushën e vet. Curciç ka thirrur edhe sulmuesin e Romës Adem Ljajiç, i lënë jashtë nga Advocaat dhe paraardhësi i tij tek stoli serb, Sinisa Mihajloviç.
KOHA JONË SONDAZH

