Serbët “ngatërrojnë fjalët”, De Biasi në CAS: Ikëm sepse dolën luanët nga kafazi
Seanca dëgjimore përballë Gjykatës së Apelit në lidhje me ndeshjen e 14 Tetorit në Beograd është zhvilluar në një klimë pozitive për palën shqiptare falë argumentave të pakontestueshme në favorin tonë, për një ndeshje që kurrsesi nuk mund të luhej. Nga Lozana, dëshmia e kapitenit Lorik Canaishte e tillë: – “Lorik Cana iu përmbajt deponimeve të fillimit duke rezultuar bindës për panelin. Kapiteni Cana deklaroi se ishte e pamundur që të luhej ajo ndeshje dhe aty gjithçka që mund të mendonin futbollistët shqiptare ishte për jetën e tyre, pasi ishin seriozisht të kërcënuar. Kapiteni Cana ka shpjeguar se i ka gjetur shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes të dëmtuar fizikisht, por edhe moralisht dhe në atë gjendje ka qenë e pamundur që të mendohej për futbollin. Lorik Cana veç të tjerash ka deklaruar se ka qenë e vështirë për futbollistët shqiptarë, që të futeshin në dhomat e zhveshjes pasi në tunel janë goditur nga forcat e sigurisë së stadiumit, ndërkohë që ai vetë ka qenë i kafshuar në dorë nga futbollisti që hyri në fushë.
Pas Canës, radha për të dëshmuar ka qenë e trajnerit De Biasi, i cili me elokuencën që e karakterizon ka përdorur një batutë të goditur duke deklaruar para gjykatës: – “Nëse në një Kopësht Zoologjik lëshojnë nga kafazi Luanin, duhet të ikim me vrap që të shpëtojmë, apo jo. Ashtu bëmë edhe ne. Nuk kthehemi dot në fushë se ishin hapur dyert e kafazëve. Na goditën jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, që për mua është goditja më e rëndë. Unë kisha vetëm një objektiv, të ktheja djemtë e mi në shtëpi shëndoshë e mirë. Mua dhe askujt nga ne nuk na kërkoi askush të kthehemi në lojë. Nëse duhej të ktheheshim në fushë për të rrezikuar jetën ndoshta do e bënim, por nëse do të na ishte kërkuar diçka e tillë”. Pyetjes së avokatit serb: “Po nëse do të vija unë dhe do t’iu thosha që Luani është futur sërish në kafaz, do të ktheheshit në fushë”?, De Biasi iu përgjigj: “Atëherë do të thosha, futu ti i pari”. Përtej kësaj batute De Biasi ka deklaruar se ajo që ka përjetuar atë natë në Beograd ka qenë diçka e tmerrshme të cilën ai nuk e kishte provuar asnjëherë gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist dhe si trajner.
Nga ana e tyre ekspertët e së drejtës të thirrur nga avokatët shqiptarë i kanë mëshuar rrezikshmërisë në të cilën gjendeshin shqiptarët si pasojë e njerëzve në tribuna. Avokati Besson ka argumentuar se pala shqiptare nuk gjendej thjesht para disa ultrasve të irrituar, por përballë njerëzve që nuk kishin shkuar aty për të ndjekur një ndeshje futbolli, duke aluduar të tjera qëllime dhe shqiptarët ishin seriozisht të rrezikuar. Një faktor në favor të palës shqiptare kanë qenë edhe deponimet e serbëve. Sekretari i Federatës Serbe nuk i është përmbajtur deponimeve të dhëna më parë duke i çuditur gjykatësit, të cilët kishin në dosje deklarimet e tij të mëparshme. Gjithashtu dy nga dëshmitarët serbë janë tërhequr dhe nuk janë paraqitur. Sekretari i Federatës Serbe ka mohuar se gjendej në tunelin e dhomave të zhveshjes siç kishte bërë të ditur më parë, ndërkohë që një tjetër detaj interesant është se opsioni për të boshatisur stadiumin ka qenë vetëm një alternativë e serbëve pasi diçka të tillë mund të vendoset vetëm nga delegati i ndeshjes, i cili ka pranuar se asnjëherë nuk ka shtruar këtë opsion.
Sekretari i Federatës Serbe është gjendur në një pozitë të vështirë edhe kur është pyetur se si ka mundësi që nuk është ndjekur penalisht asnjë nga njerëzit që hynë në fushë duke përfshirë dhe huliganin “me famw”, Ivan Bogdanov dhe ai është përgjigjur “Unë nuk e di nëse Federata Serbe ka bërë denoncim, por kur të kthehet do të pyes avokatin”. Janë këto disa nga detajet më interesante të seancës dëgjimorë të Shqipërisë në CAS. Dritan Shakohoxha, i cili bëri të ditur se me shumë gjasa një vendim në lidhje me këtë çështje mund të merret javën e ardhshme edhe pse, një vendim i plotë ( i zbardhur) mund të kërkojë një muaj.
KOHA JONË SONDAZH

