Serbi i Tiranës, Dejan Karan: Mbështes kombetaren time
Dejan Karan, mbrojtës i Tiranës, thotë se bën pjesë ndër ata njerëz që urojnë më të mirën për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Ai gjykon se për të dyja palët është e rëndësishme që të ketë qetësi.
"Pavarësisht nga ndeshja dhe nga gjithçka tjetër, duhet të kemi parasysh gjërat njerëzore, marrëdhëniet njerëzore. Ndershmërisht, uroj që ndeshja të kalojë në paqe, në qetësi, për të mirën e dy vendeve, dy shteteve, dhe të dy kombëtareve. Nuk do të flisja për rezultatin, pasi dy ekipet kanë ambicie të ndryshme. Shqipëria ka detyrim të marrë rezultat të mirë që të shkojë në Europian, ndërsa Serbia do të kërkojë sukses për arsye sportive, siç duhet bërë në çdo ndeshje."
Vërtet Dejani uron që të mos ndodhë gjë, por a mendon se ekziston rreziku për incidente?
"Duke pasur parasysh atë që ndodhi në Serbi, është e vështirë të flasësh dhe të bësh parashikime, por shpresoj që Federata t'i ketë marrë të gjitha masat dhe të mos ketë probleme. Shqipëria si vend dhe Tirana si qytet janë miqësorë. Besoj se është edhe në interes të kombëtares së Shqipërisë që të mos ndodhë gjë. Sa për atë që ndodhi në Beograd, nuk kam dashur të mendoj shumë për të. Ishte një fakteqësi, pati provokime nga të dyja palët, por duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të mendojmë për t'u sjellë ndryshe këtë herë.”
Ndeshjen do ta shohë në kryeqytet, së bashku me ndihmëstrajnerin e Tiranës, Ivan Gvozdenoviç.
"Këtu jam me të dashurën time. Është edhe Ivan Gvozdenoviç me familjen, ndaj ndeshjen mund ta shikojmë në shtëpi, ose në ndonjë kafe, dhe natyrisht që do të mbështesim kombëtaren tonë. Nuk besoj se do të kemi probleme, pasi njerëzit janë miqësorë, aq më tepër që Ivani ka vite që jeton këtu dhe ka shumë miq dhe e ka zakon që i sheh ndeshjet bashkë me ta."
Shqipëria dhe Serbia nuk është se janë shumë larg nga njëra-tjetra, por njohja ka qenë e paktë.
“Para se të vija këtu nuk dija shumë për Shqipërinë apo për futbollin e saj. E njëjta gjë vlen edhe për serbët e tjerë. Gjithsesi, shumica e njerëzve atje, ashtu si këtu, janë njerëz normalë që nuk duan të mendojnë keq për të tjerët. Unë uroj që e ardhmja të jetë më e mirë dhe, jo vetëm serbët e shqiptarët, por të gjithë popujt e Ballkanit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Këto.”
Dejan Karan është vetëm njëri nga futbollistët e shumtë serbë që luajnë apo kanë luajtur në Superligën shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

