Serbi-Shqipëri, ja kur vendoset në Lozanë
Pritja e gjatë po shkon drejt fundit, vetëm pak orë na ndajnë nga një vendim i rëndësishëm dhe njëkohësisht historik për Shqipërinë e futbollit.
Këtë të premte, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë pritet të japë fjalën e saj të fundit në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar. Pas disa shtyrjesh, më në fund shqiptarët do të mësojnë nëse do të ketë vërtet drejtësi në lidhje me atë që ndodhi në Beograd, ku ‘kuqezinjtë’ u bënë viktimë e dhunës dhe thirrjeve për gjenocid nga ana e tifozëve dhe personelit të sigurisë në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Në CAS, Shqipëria kërkon drejtësinë që nuk u dha në organet e UEFA-s, si dhe tre pikët për ndeshjen me Serbinë që janë vendimtare për shanset e ‘kuqezinjve’ për një kualifikim të drejtpërdrejtë në ‘Euro 2016’, bën të ditur SuperSport.
Vënia e drejtësisë në vend nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do ti ngjiste ‘kuqezinjtë’ në vendin e dytë të klasifikimit në Grupin I me 10 pikë, aq sa ka edhe Danimarka por me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Kujtojmë se vendimi i CAS pritet të vijë pas disa shtyrjesh, fillimisht u komunikua se do të jepej më 29 maj, pastaj u shty për në 12 qershor dhe më pas u përcaktua si afat i fundit 10 korriku.
KOHA JONË SONDAZH

