Serbi–Shqipëri, ndeshje me rrezikshmëri të lartë: masa të forta sigurie në Leskovac

Dueli i radhës mes Serbisë dhe Shqipërisë, i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit, është vlerësuar nga FIFA si një përballje me rrezik të lartë. Për këtë arsye, në mbledhjen e përbashkët mes Federatës Serbe të Futbollit, FIFA-s dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, është vendosur që të merren masa të rrepta sigurie.
Në një komunikatë zyrtare, Federata Serbe bëri të ditur se FIFA do të dërgojë dy oficerë specialë sigurie për ndeshjen në Leskovac, me qëllim garantimin e rendit dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve dhe tifozëve. Ky vendim shihet si tregues i qartë i rëndësisë dhe seriozitetit të sfidës, e cila kërkon përkushtim maksimal nga të gjitha palët.
Federata Serbe ka kujtuar gjithashtu episodet e errëta të vitit 2014 në Beograd, kur sfida mes dy kombëtareve u ndërpre për shkak të incidenteve dhe Shqipëria fitoi në tavolinë, ndërsa Serbia u dënua me zbritje pikësh.
“Jemi duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që kjo ndeshje të zhvillohet në frymë respekti dhe fair play, larg tensioneve të së shkuarës,” thuhet në komunikatë.
Serbia synon të shmangë çdo përsëritje të skenave të kaluara, ndërsa sfida e Leskovacit shihet si një provë jo vetëm sportive, por edhe e pjekurisë së tifozëve dhe organizatorëve.
KOHA JONË SONDAZH

