Serbia nis sot e para betejën me CAS, kërkon 3 pikët e hequra nga UEFA
Sot Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendosë mbi gjysmën e fateve të ndeshjes Serbi-Shqipëri, të 14 tetorit 2014, që u ndërpre pas 41 minutave lojë, kur rezultati ishte 0-0, prej incidenteve. Kjo ndeshje iu dha në tavolinë Serbisë, 0-3, nga UEFA por serbëve iu hoqën tre pikë nga klasifikimi prej incidenteve. Sot e nesër është Dita e Gjykimit, kur ka nisur me palën serbe, për t’i lënë vendin më pas Shqipërisë këtë të premte që të paraqesë argumentet e saj. Që në orët e para të mëngjesit, serbët të përfaqësuar nga një studio avokatie zvicerane do të kërkojnë të mbrojnë fitoren 3-0 në tavolinë por njëkohësisht do të synojnë që t’i hiqen 3 pikët penalitet të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Apelit të qeverisë së futbollit kontinental. Pala serbe pritet të mëshojë fortë te provokimi politik nëpërmjet dronit, teksa kanë përgatitur dhe një dëshmi të një ish-gjyqtari izraelit, i cili do mbështesë akuzën e tyre. Qëllimi i palës serbe është që nëpërmjet kësaj dëshmie të “dredhojë” pushtimin e fushës nga tifozët e saj dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësueses kuqezi duke dashur të anashkalojë dhe faktin se Atkinson e ndërpreu ndeshjen për shkak të akteve vandale nga ana e tifozerisë vendase dhe jo për dronin e hyrë në fushë. Pas dëgjimit të palës serbe, të premten do të jetë dhe radha e shqiptarëve, që do të përfaqësohen nga ekipi i avokatëve i kryesuar nga Artan Hajdari. Seanca dëgjimore e Shqipërisë do të nisë që në orën 8 të mëngjesit ndërkohë që për vendimin nuk dihet ende sesa duhet pritur, me sekretarin e Federatës serbe që është shprehur se vendimi mund të jepet dhe pas 30 ditëve.
KOHA JONË SONDAZH

