Sergio Roberto, pozitiv ndaj Covid-19 edhe pas 26 testesh

Sergi Roberto u rikthye të luajë për Barcelonën në ndeshjen e të dielës ndaj Athletic Bilbaos, por mediat spanjolle zbulojnë se mesfushori spanjoll ka kaluar një periudhë vërtetë të komplikuar në pritje të një testi negativ të koronavirusit.

Spanjolli pësoi një dëmtim muskulor në fund të muajit nëntor, por më 1 dhjetor rezultoi pozitiv dhe që atëherë iu deshën të kryejë plot 26 teste, për të marrë një rezultat negativ, që e lejoi të bashkohej me skuadrën.

Kjo pasi protokolli i miratuar në Spanjë, nuk e lejon një futbollist të zbresë në qendrën stërvitore pa pasur një test negativ, qoftë edhe nëse i ka kaluar 14 ditët e izolimit.

Megjithatë koronavirusi në trupin e Sergi Robertos qëndroi më shumë se duhet, më tepër se një muaj dhe siç pranoi ai vetë, tamponët i ishin shndërruar në një stres më vete.

Një eksperiencë të ngjashme ka pasur edhe argjentinasi i Juventusit, Paulo Dybala, pasi iu deshën plot 46 ditë për të marrë një test negativ, që e lejonte t’i bashkohej grupit dhe të luante në fushë.

SHKARKO APP