SERIA A/ Como shpëton në fund nga humbja ndaj Bolognës
Java e 20-të e Serie A nisi me dy ndeshje që u mbyllën pa fitues, duke dhuruar emocione dhe rezultate të papritura si në Como, ashtu edhe në Friuli.
Në stadiumin “Giuseppe Sinigaglia”, Como dhe Bologna u ndanë në barazim 1-1. Takimi u zhbllokua në fillimin e pjesës së dytë, kur Nicolo Cambiaghi përfitoi nga një gabim i Mërgim Vojvodës në zonën e tij dhe kaloi në avantazh skuadrën mike. Megjithatë, momenti kyç i ndeshjes erdhi në minutën e 60-të, kur Cambiaghi u ndëshkua me karton të kuq direkt për një goditje me bërryl, duke e lënë Bolognën me dhjetë lojtarë.
Superioriteti numerik i vendasve u konkretizua vetëm në sekondat e fundit, kur Martin Baturina, i futur si zëvendësues, realizoi një gol të bukur nga brenda zonës, duke shpëtuar Comon nga humbja. Me këtë barazim, Como mban vendin e gjashtë me 34 pikë, ndërsa Bologna renditet e teta me 27 pikë.
Në ndeshjen tjetër, e zhvilluar në Friuli, Udinese nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Pisa-s, skuadrës që ndodhet në fund të renditjes. Miqtë befasuan duke kaluar të parët në avantazh me Tramoni, por reagimi i vendasve ishte i shpejtë: Kabasele barazoi në minutën e 19-të, ndërsa Davis përmbysi rezultatin pak para pushimit, duke shënuar nga pika e bardhë.
Pavarësisht epërsisë, Udinese nuk arriti ta mbyllë ndeshjen, pasi në pjesën e dytë Meister gjeti golin e barazimit për Pisa-n, duke vulosur një tjetër hap fals për skuadrën friulane.
KOHA JONË SONDAZH

