Seria A, Juve shpallet kampione dimri, Milan e Inter në krizë të thellë
Me ndeshjet e javës së 18-të, Seria A mbylli zyrtarisht fazën e parë të sezonit 2014-2015, ose përfundoi gjysmën e udhëtimit të gjatë, që duket se do të ketë të njëjtën skuadër kampione, Juventus. Bardhezinjtë janë shpallur kampion dimri, pas fitores së fundit 4-0 me Veronan, duke thelluar në pesë pikë diferencën me ndjekësit më të afërt, Romën. Seria A për herë e më shumë në krizë reflekton vështirësi për dy ekipet e tjera të mëdha të Italisë, Inter dhe Milan. Deri tani vetëm Juventusi po shfrytëzon në maksimum burimet financiare që i siguron stadiumi i ri. “Zonja e Vjetër” edhe këtë sezon po hedh “të njëjtën valle”, madje me një ritëm më të lartë sepse trajneri Masimilliano Allegri ka arritur të fusë në ekip një frymë të re. Juventus ka ndryshuar nën drejtimin e teknikut livornez, i cili ka vënë theksin në repartin sulmues. Është e vërtetë që bardhezinjtë pësojnë më shumë, por është po aq e vërtetë që shënojnë edhe më shumë se më parë. Plot 42 gola në 19 javë, 8 më shumë se Napoli janë treguesi më i qartë se mekanizmat e sulmit të Allegrit po funksionojnë në perfeksion. Por më shumë se golat, rëndësi kanë pikët. Pas 18 javëve të para, pesë është distanca nga Roma e vendit të dytë. Diferenca e lejon Juventusin të mendojë i qetë për fazën e dytë ku pengesë serioze mund të konsiderohet pikërisht transferta në “Olimpico”, kundër skuadrës së Rudi Garcias. Por më shumë se pikët në klasifikim, bardhezinjtë janë treguar një skuadër me autoritet, duke marrë fitore kur 3 pikët u nevojiteshin më shumë se kurrë. Një shembull për këtë është ndeshja e luajtur në Napoli, ku Juventusi shtypi me prepotencë skuadrën e Rafa Benitez. Një shkallë më poshtë, jo vetëm në klasifikim por edhe në cilësi, renditet Roma. Skuadra kryeqytetase po vuan mungesën e vazhdimësisë në rezultate por edhe freskinë në fizike, në javët e fundit . Palermo nxori në pah pikat më të dobëta të skuadrës së Garcias, që pa lojtarë si Gervinho dhe Keita nëfushë, humbet forcën goditëse. 2 humbje dhe 5 barazime në pjesën e parë të sezonit janë shumë për një ekip që kërkon të rivalizojë ekipin perfekt të Allegrit dhe ky është një tregues se Roma po vuan shumë mungesën e një filozofie të qartë. As deklaratat e Garcias nuk hyjnë shumë në punë, në një kohë kur Romës tani i duhet të thyejë mitin bardhezi dhe të mendojë jo vetëm mbi qëndrueshmërinë në rezultate, por edhe të fitojë takimin direkt me bardhezinjtë në pjesën e dytë të garës. Java e fundit katapultoi në vendin e tretë Napolin që konfirmohet skuadra e shkallës më të ulët të podiumit por nëse të kaltërit vazhdojnë në këtë rrugë, mund të bëhen një kërcënim serioz edhe për vetë Romën. Surprizën e vërtetë të kësaj pjese të parë të sezonit e dhuroi Sampdoria që numëron po aq pikë sa napoletanët, ndërsa Lazio nuk i humbet shpresat për një biletë në Champions League. Situata duket e zymtë në Milano, ku Milani dhe Interi po asfiksohen për shkak të problemeve financiare. Shaqiri dhe Podolski janë shumë pak për të synuar vendin e tretë në “Appiano Gentike”, ndërsa Cerci në “Milanello” nuk i ka kapacitetet për të shpëtuar nga dështimi ekipin kuqezi. Situata mbetet kaotike edhe pse dy presidentët kërkojnë të arnojnë sa të jetë e mundur skuadrat e tyre. Dimri mbetet i gjatë në kryeqendrën e Lombardisë sepse futbolli italian ka ndryshuar destinacion duke u spostuar drejt jugut. Në tre vendet e fundit pozicionohen ekipet e Parma, Cagliari e Cesena, të cilat me edhe me rezultatet e javëve të fundit, duket se do ta kenë të vështirë mbijetesën.
KOHA JONË SONDAZH

