Sfida me Çekinë, po lulëzon tregu i zi në Shqipëri. Biletat ndërrohen me “Smart” apo “iPhone”

Biletat për sfidën e ekipit kuqezi me Çekinë, mbaruan në kohë rekord. Në situatën e krijuar ka lulëzuar tregu i zi. Pagesa “cash” është e pranueshme. Një përdorues pretendon se disponon të paktën 300 bileta mbrapa porte, të cilat i shet me “çmim të arsyeshëm”: vetëm 35 euro, nga 3 mijë lekë që ishte kosto origjinale.

Një tjetër përdorues i TikTok ka nxjerrë në shitje 40 bileta, për 45 euro secila. Çmenduria e çmimeve vijon me bileta që pretendohen të shiten nga 100 apo 150 euro copa, deri në 200 apo 250 euro për çdo vend. Shifra jashtë logjike, sepse as finale e Champions League nuk kushton kaq shumë.

Më pas ka oferta që duken për të qeshur, por konfirmojnë realitetin aspak të bukur që u krijua rreth ndeshjes së 12 tetorit, ku Shqipëria pret Republikën Çeke në Arenën Kombëtare.

Dikush i ndërron katër bileta me një makinë “Smart”, dikush tjetër pretendon që në këmbim të biletave të marrë “iPhone 15”, që sapo doli në treg. Ka edhe nga ata ofertues që nuk duken seriozë, sepse 4 bileta kërkojnë t’i ndërrojnë me apartament 2+1 në Tiranë.

SHKARKO APP