Sfida me Elbasanin, Gega: Optimistë për rezultat pozitiv

Partizani luan një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, siç është ajo ndaj Elbasanit. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por u shpreh besimplotë për rezultat pozitiv. Ndeshja Partizani-Elbasani do të luhet në stadiumin “Arena e Demave” të Dielën, duke nisur nga ora 15:30.
“Është ndeshja e fundit, ndeshje e rëndësishme. Është një ndeshje që ka peshë të madhe sepse pikësynimet kanë qenë për të qenë lart për “Final 4” dhe për trofe. Duke u nisur nga ndeshja me Egnatian mënyra se si shkoi loja ishte një ekstra lodhje për ne sepse luajtëm 120 minuta. Në këtë aspekt jemi pak të rënduar fizikisht, koha ka qenë e shkurtër. Jemi munduar të rikuperojmë, jemi besimplotë që do ia dalim.
Jemi optimistë. Nëse nuk je optimist në futboll është e pamundur. E respektojmë kundërshtarin. Kanë pasur një ecuri të mirë, por jemi në fushën tonë, jemi me tifozët tanë. Kemi pasur mungesa, asnjëherë mungesat nuk janë justifikim. Patjetër kur në një grup me format të caktuar, një po të mungojë fillojnë dhe krijohen dilemat. Koha ka qenë shumë e shkurtër, deri nesër do mundohemi të rikuperojmë sa më tepër.
Në kampionatin shqiptar duhen vlerësuar dhe respektuar të gjithë. Unë nuk jam ai natyrë që i nënvlerësoj, por edhe nuk flas për mënyrën e lojës apo diçka tjetër. Elbasani është me meritë këtu. Ka bërë një fazë të tretë ose të katërt të mirë, por ne jemi Partizani dhe do mundohemi që këtu të luajmë si në shtëpi. Kjo është e vërteta, por 90 minutëshit nuk i dihet”, u shpreh Gega.