Sfidat e Botërorit 2026, nga temperaturat ekstreme te mijëra kilometra udhëtim
Kupa e Botës 2026 pritet të jetë edicioni më i madh dhe më kompleks në historinë e futbollit. Me 48 kombëtare pjesëmarrëse, 104 ndeshje, tre shtete organizatore dhe katër zona të ndryshme kohore, turneu do të sjellë sfida që nuk janë parë më parë në një Kampionat Botëror.
Ndërsa tifozët në mbarë botën presin me padurim nisjen e spektaklit në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ekspertët paralajmërojnë se kushtet klimatike mund të luajnë një rol vendimtar në ecurinë e skuadrave.
Sfida më e madhe pritet të jetë për ekipet që do të luajnë në Meksikë dhe në jug të Shteteve të Bashkuara. Në Monterrey, temperaturat mesatare gjatë muajit qershor arrijnë deri në 34 gradë Celsius, ndërsa në Miami futbollistët do të duhet të përballen jo vetëm me vapën e madhe, por edhe me nivele të larta lagështie.
Në anën tjetër, qytete si Vancouver dhe Seattle ofrojnë kushte shumë më të favorshme, me temperatura që variojnë mes 20 dhe 22 gradëve Celsius. Një avantazh i rëndësishëm mund të jetë për stadiumet në Atlanta, Dallas dhe Houston. Falë çative të lëvizshme dhe sistemeve moderne të kondicionimit, kushtet atmosferike në këto impiante pritet të kenë ndikim minimal në zhvillimin e ndeshjeve.
Megjithatë, moti nuk është shqetësimi i vetëm për organizatorët. Tetë stadiume të përzgjedhura përdorin sipërfaqe me bar artificial, çka do të detyrojë FIFA-n të instalojë fusha natyrale të përkohshme për të respektuar standardet e saj. Pikërisht këto terrene u kritikuan ashpër gjatë Kupës së Botës për Klube në vitin 2025, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e tyre edhe për Botërorin e ardhshëm.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë ndjeshëm është distanca e madhe mes qyteteve pritëse. Disa kombëtare mund të përshkojnë mijëra kilometra gjatë turneut, ndërsa skuadrat që do të luajnë në qytete me lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit, si Mexico City, do të përballen me vështirësi shtesë fizike dhe kërkesa më të mëdha për rikuperim.
Mes arenave që do të presin ndeshjet spikasin stadiumi legjendar Estadio Azteca, i vetmi impiant në botë që ka organizuar dy finale të Kupës së Botës, si dhe stadiumi ultramodern SoFi Stadium në Los Anxhelos, një projekt gjigant me vlerë rreth 5.5 miliardë dollarë.
Të gjitha këto elemente tregojnë se Botërori 2026 nuk do të jetë thjesht një garë futbolli. Përveç cilësive teknike në fushë, skuadrat do të duhet të përballojnë temperaturat ekstreme, lodhjen nga udhëtimet e gjata, ndryshimet e zonave kohore dhe kushtet e veçanta të terrenit, në një turne që pritet të testojë kufijtë fizikë dhe mentalë të futbollistëve.
KOHA JONË SONDAZH

