Shënojnë dy vëllezërit Insigne, Napoli mund me përmbysje Beneventon (VIDEO)

Napoli vijon të tregojë një formë shumë të mirë në Seria A në këtë fillim sezoni. Skuadra e Gattusos ka harruar shumë shpejt disfatën në Europa League ndaj AZ Alkmar, teksa mori një fitore me përmbysje 2-1 në fushë e Beneventos.

Të Kaltrit zhvilluan një lojë shumë të dobët në 45 minutat e para, të cilat i mbyllën në disavantazh. Në minutën e 30-të, skuadra vendase del me një kundërsulm shumë të shpejt, me Lapadulën që shërben në zonë, atje ku Roberto Insigne (i vëllai i Lorenzos së Napolit) e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë.

Reagimi i Napolit vjen në fillimin e pjesës së dytë, teksa fillimisht ju anulua një gol Insignes, por sulmuesi italian do të realizonte sërish në minutën e 60-të. Për t’u shënuar fakti që në një ndeshje shënojnë dy vëllezër, por me ekipe të ndryshme.

Ky gol i dha entuziazëm skuadrës së Gattusos që do të gjente edhe golin avantazhit. Në minutën e 67-të, Petagna shfrytëzon një aksion të bukur me Politanon. Napoli numëron 11 pikë në 5 ndeshjet e para, por kujtojmë që ka humbur sfidën 3-0 në tavolinë me Juventusin dhe i është zbritur një pikë për sabotimin e asaj ndeshje. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP