Shkëlqimi i brazilianit Martins dhe debutimi i Stojkov, bie “pista” e Plakut tek Skënderbeu
Sulmuesi Sebino Plaku është drejt divorcit me ekipin polak,Slask, por ai po sheh si mundësi të luajë në një klub tjetër jashtë vendit. Për Plakun është përfolur një rikthim i mundshëm tek Skënderbeu, mirëpo forma e mirë që po kalon sulmuesi brazilian i kësaj skuadre, Martins, i ka hedhur poshtë shanset e një rikthimi të mundshëm tek kampionët në fuqi. Dhiego Martins, i cili ka shënuar pesë gola deri tani me korçaret dhe ka ardhur nga kampionati kinez gjatë këtij sezoni, dukej në super formë, në vigjilje të pjesës së dytë të këtij sezoni. Ai ishte një nga më të mirët në fushën e lojës, për ekipin e Skënderbeut, në miqësoren e fundit ndaj ekipit gjerman Fortuna Dusseldorf. Skënderbeu e humbi 0-2 këtë miqësore, teksa shënuan Hoffer në 40' dhe Da Silva Pinto në 77’ dy golat e fitores për gjermanët. Megjithatë, Skënderbeu i dha fund përgatitjeve në Spanjë, me një miqësore të pestë, duke zhvilluar një lojë të mirë. Dhiego Martins u aktivizua në pjesën e dytë, duke shfaqur një formë të shkëlqyer. Në këtë miqësore u aktivizua dhe debutoi edhe sulmuesi maqedonas Aco Stojkov, i ardhur gjatë merkatos së dimrit tek Skënderbeu. Pas përgatitores në Spanjë, ku Skënderbeu fitoi dy miqësore ndaj ekipeve gjermane, Frajbur e Vehen, ekipi korçar do të rikthehet nesër në Durrës, në pritje të pjesës së dytë të këtij sezoni.
KOHA JONË SONDAZH

