Shkëlzen Gashi, “Misteri një milionë dollarësh”
Zgjedhje karriere, apo një vendim që lidhet me aspektin financiar, kjo nuk ka rëndësi shumë sepse Shkëlzen Gashi kishte arsye të forta kur zgjodhi të luante në SHBA. Rroga mbi një milionë dollarë në sezon që përfiton ai te Kolorado Rapids, është edhe arsyeja kryesore. Lojtari i kombëtares sonë duke parë që trajneri Fischer te Baseli e linte vazhdimisht në stol, edhe pse Gashi ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Zvicër në dy sezonet e fundit, vendosi më në fund të largohej nga Europa.
Me situatën e fundit që i ishte krijuar, sulmuesi kuqezi humbiste minutat e vyera në fushë dhe rrezikonte të mos ishte pjesë e Kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2016. Vendimi për t’u transferuar në Shtetet e Bashkuara me skuadrën e Kolorados, mes ofertave të shumta që kishte, ka lidhje me kontratën e firmosur më 1 shkurt nga 27-vjeçari kuqezi. Gashi mbetet i përfshirë në listën “Designated Player”, pra atyre pak yjeve të futbollit që mund të përfitojnë rroga më të larta se tavani i pagave i vendosur në Amerikë. Sipas raportimeve të mediave amerikane, apo edhe nga Blick në Zvicër, Gashi përfiton mbi një milionë dollarë rrogë në sezon.
Shifra është sa dyfishi e pagës së një tjetër ish-lojtari të Superligës helvete, Tranquillo Barnetta që te Filadelfia përfiton 600 mijë dollarë në vit. Shkëlzen Gashi është një prej lojtarëve më të paguar në Major League Soçer. Ish-legjenda e Liverpool, Steven Gerrard paguhet 6,2 milionë dollarë në vit te Los Anxhelos, ndërsa ish-sulmuesi i Juventusit, Sebastian Giovinco përfiton 5,6 milionë te Toronto.
KOHA JONË SONDAZH

