Shkëmbi: E pamundur t’i thuash jo një ekipi si Dinamo!
Bledi Shkëmbi u prezantua si trajneri i ri i Dinamos duke thënë edhe fjalët e para si timonier i bluve. Strategu i njohur theksoi se Blutë kanë objektiva madhorë edhe pse në Superiore nuk është aspak e thjeshtë.
“Falënderoj presidentin Bardhi pasi ishte ai kryesori duke mos harruar bashkëpunëtorët e tij që më dhanë mundësi të jem trajneri i Dinamos. Për një trajner të ri si mua është e pamundur t’i thuash jo një skuadre të tillë. Shpresoj të kem fatin që ta kthej këtë skuadër në ato nivele që ka qenë më parë duke fituar tituj dhe duke arritur në Europë. Presidenca ka objektiv që të fitojmë, por në këto momente do të shikojmë se çfarë lojtarësh do të afrojmë, por objektivat do të jenë madhorë.
Është e vështirë të rifillosh nga 0 për të luftuar për vendet e sipërme të klasifikimit, por gjëja e mirë është se emri i Dinamos ka një impakt te lojtarët dhe shumë prej tyre janë gati të bashkohen me ne. Kemi disa emra dhe disa prej tyre kanë firmosur edhe pse nuk janë prezantuar. Jemi në bisedime edhe me disa prej tyre. Shumë emra që dalin në media nuk janë të vërtetë pasi ne kontaktojmë vetëm me ata lojtarë që janë pa kontratë pasi duam të jemi korrekt me klubet e tjera. Po mundohemi të krijojmë një bosht me lojtarë të kampionatit shqiptar e më pas do të shikojmë”, tha Shkëmbi.