Shkëndija merr fitoren e parë në Conference League, Drita barazon
Shkëndija siguroi fitoren e parë historike në Conference League, duke mposhtur Shelbourne me rezultatin minimal 1-0 në Shkup. Ndeshja u vendos në minutat shtesë, kur një autogol i Patrick Barret në minutën e 92-të pasoi pas një goditjeje këndi. Gjuajtja e Ronaldo Webster u devijua fatale në rrjetën e irlandezëve, duke i dhuruar skuadrës tetovare tre pikët e para në këtë kompeticion.
Ndërkohë, në “Fadil Vokrri”, Drita regjistroi barazimin e dytë radhazi në grupet e Conference League, këtë herë 1-1 përballë Omonias. Të përzgjedhurit e trajnerit Zekirija Ramadani kaluan të parët në avantazh në minutën e 12-të, falë golit me kokë të Arb Manajt pas një krosimi të saktë nga Besnik Krasniqi.
Qipriotët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 30-të me Stevan Jovetic, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Barazimi i Omonias erdhi në fund të pjesës së parë me Masouras, i cili shënoi gjithashtu me kokë. Në pjesën e dytë, pavarësisht rasteve nga të dyja palët, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
KOHA JONË SONDAZH

