Shorti elektronik për biletat e ndeshjes Shqipëri–Serbi zgjatet deri më 4 qershor për shkak të interesit të lartë
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar zgjatjen e afatit të shortit elektronik për përzgjedhjen e tifozëve që do të kenë të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2026 mes Shqipërisë dhe Serbisë. Procesi do të vijojë deri më datat 3 dhe 4 qershor.
Sipas FSHF-së, kjo shtyrje është bërë e nevojshme për shkak të numrit shumë të madh të aplikimeve dhe ngarkesës së platformës, duke kërkuar një procedurë më të kujdesshme dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit. Deri tani, një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur nga shorti elektronik kanë marrë tashmë biletat përmes platformës zyrtare të menaxhuar nga kompania T-Ticket.
Të gjithë ata që kanë aplikuar për bileta këshillohen të kontrollojnë rregullisht adresat e tyre të emailit – përfshirë edhe dosjen “Spam” – për të parë nëse kanë marrë njoftimin dhe linkun e personalizuar për blerjen e biletës. Vetëm personat e përzgjedhur do të marrin këtë link.
Nëse deri pas datës 4 qershor nuk merret një email konfirmimi, kjo nënkupton se aplikanti nuk është përzgjedhur nga shorti. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.
Federata shpreh falënderimin për të gjithë tifozët për interesin dhe durimin e treguar, duke siguruar se procesi po zhvillohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.

KOHA JONË SONDAZH

