Shpërthejnë legjionarët shqiptarë/ Manaj shkëlqen me dopietë dhe asist, gola edhe për Muçin e Tucin
Futbollistët shqiptarë kanë lënë gjurmë me skuadrat e tyre pas rikthimit nga angazhimi me Kombëtaren në Ligën e Kombeve. Rey Manaj ishte protagonisti kryesor i javës, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë një asist, ndërsa Ernest Muçi dhe Indrit Tuci festuan gjithashtu realizimet e tyre. Në listën e lojtarëve kuqezi që spikatën këtë javë ishte edhe Taulant Seferi, me një asist vendimtar.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në fitoren 4-1 të Sivassporit ndaj Pendiksporit. Manaj zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të dhe realizoi sërish në minutën e 55-të, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të rëndësishëm. Nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 64-t asistoi Ethemin për golin e tretë të Sivassporit.
Një tjetër paraqitje pozitive erdhi nga Ernest Muçi. Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 28-të në transfertën ndaj Samsunsporit, duke i dhënë avantazhin Trabzonsporit me një goditje të bukur brenda zonës. Ky ishte goli i tij i dytë sezonal, ndërsa skuadra e tij triumfoi në fund me rezultatin 3-0.
Në Slloveni, Indrit Tuci ishte vendimtar për Olimpija Ljubljanën, duke shënuar dy gola në minutat 31 dhe 52 në përballjen ndaj Murës. Megjithatë, skuadra vendase nuk arriti ta ruante avantazhin dhe ndeshja përfundoi në barazimin spektakolar 3-3.
Ndërkohë, Taulant Seferi dha kontributin e tij në fitoren 3-2 të Kayserisporit ndaj Manisas. Sulmuesi kuqezi asistoi për Morenon në minutën e 52-të, në aksionin që solli golin e dytë të skuadrës së tij.
Përveç protagonistëve me gola dhe asiste, disa futbollistë të tjerë të Kombëtares shqiptare e nisën nga minuta e parë me skuadrat e tyre. Mes tyre ishin Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Klisman Cake, Samuele Sina, Stavro Pilo, Qazim Laçi, Myrto Uzuni dhe Kristjan Shpendi.
Në pjesën e dytë u aktivizuan si zëvendësues edhe Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Sabah Kerjota dhe Armando Broja, duke vijuar angazhimin e tyre në kampionatet ku luajnë.

