Shpërthen një “çështje” Maignan te Milani, tifozët kërkojnë t’i hiqet shiriti i kapitenit

Në Milan ka shpërthyer çështja Mike Maignan. Situata duket se ka krijuar një përçarje mes kapitenit kuqezi dhe një pjese gjithnjë e më të zëshme të tifozëve, të cilët janë irrituar nga sjellja e portierit francez gjatë ditëve të fundit. Mbështetësit e Milanit e akuzojnë Maignan për mungesë profesionalizmi dhe, për këtë arsye, kanë nisur të kërkojnë që shiriti i kapitenit t’i besohet Luka Modric.

Pakënaqësia e tifozëve nisi të shfaqej pas mungesës së Maignan në ceremoninë mortore të Franco Baresit, një prej legjendave më të mëdha të klubit. Në atë periudhë, Milani ndodhej në Perth për turneun veror dhe në ceremoninë në Milano u përfaqësua nga drejtues të klubit dhe futbollistët Christian Pulisic e Santiago Gimenez.

Mungesa e kapitenit bëri përshtypje, veçanërisht pasi Maignan nuk ishte i angazhuar me skuadrën, por ndodhej me pushime pas pjesëmarrjes në Botëror. Por debati është ndezur edhe më shumë për shkak të zgjatjes së pushimeve verore. Maignan dhe Adrien Rabiot kanë kërkuar dhe kanë marrë miratimin e klubit për të përfituar edhe tre ditë të tjera pushim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në vend që të riktheheshin në stërvitje të mërkurën së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, të dy lojtarët priten në Milanello të dielën. Ky vendim nuk është pritur mirë nga një pjesë e tifozëve, sidomos pasi ndërkohë edhe Kylian Mbappé është rikthyer në dispozicion të Real Madridit, ndërsa me Interin janë bashkuar sërish edhe Lautaro Martinez e Marcus Thuram.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pavarësisht pakënaqësisë së tifozëve, mes Maignan dhe Milanit nuk ka aktualisht asnjë përçarje zyrtare. Për më tepër, ishte vetë klubi që miratoi zgjatjen e pushimeve për portierin francez. Kjo tregon se drejtuesit kuqezi nuk e konsiderojnë situatën si një problem institucional.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?