Shqipëri-Serbi, në “Elbasan Arena”…UEFA thotë se u vendos nga FSHF
Vetëm pak orë pas lajmit që u dha nga FSHF se UEFA ka vendosur që ndeshja eliminatore e vlefshme për "Francë 2016", mes Shqipërisë e Serbisë të luhet në “Elbasan Arena” më 7 tetor, ka nisur edhe reagimet e para duke hedhur poshtë këto pretendime.
Institucioni qendror i futbollit në Europë UEFA ka pasur një konfirmim të vetëm nga FSHF-ja, që ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena”. Sipas saj, asnjëherë nuk i është thënë, apo kërkuar nga pala shqiptare, që ndaj Serbisë të luhej në “Loro Boriçi”.
“Telesport” pretendon se ka marrë konfirmim zyrtar nga UEFA, që kjo e fundit nuk i ka kërkuar Shqipërisë apo FSHF-së që ndeshja me Serbinë të luhet në “Elbasan Arena”, por përkundrazi, ka qenë zgjedhje e vetë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Por duket se vendimi, një ditë pas takimit të drejtuesve të lartë të sigurisë në vend dhe të kreut të FSHF-së Armand Duka në ambientet e kryeministrisë, ka ardhur së pari, për çështje sigurie, duke qenë se Elbasani është më afër Tiranës, dhe tifozët mund të kontrollohen më lehtë dhe po ashtu, stadiumi i ri në Shkodër mund të mos jetë gati para këtij takimi.
Ndeshja e kaluar Serbi-Shqipëri që u zhvillua më 14 tetor 2014, edhe pse në kryeqytetin serb Beograd, u mbyll pa përfunduar pjesa e parë për shkak të futjes së tifozëve në fushë. Më pas Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pas një maratonë të gjatë diskutimesh e kontestimesh në UEFA ia dha atë Shqipërisë fitoren 3-0, në tavolinë dhe Serbia mbeteti aktualisht në kuotën -2 pikë. Në Shkodër autoritetet e larta i druhen ndonjë provikimi nga pala serbe çka mund të nxjerrë tifozët tanë jashtë kontrollit, ndaj edhe është marrë vendimi që Shqipëri-Serbi, të luhet në Elbasan. Burime konfidenciale nga FSHF theksojnë se për këtë institucion dhe qeverinë nuk ka asnjë interes qyteti se ku i prek kombëtarja kundërshtarët, pasi si Elbasani edhe Shkodra i përkasin Shqipërisë, veçse e rëndësishme është mbarëvajtja e ndeshjes dhe më pas, sigurisht, një rezultat pozitiv.
Në këto kushte, Shqipëria e ka bërë të qartë se do të marrë masa ekstreme që ndeshja e tetorit të mos kthehet në një ndeshje të ngjashme si ajo e Beogradit dhe pasojat t'i vuajmë më vonë si Serbia sot.
KOHA JONË SONDAZH

