Shqipëri-Serbi, siguri nga ajri dhe toka, Policia merr masa ekstreme
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet më 8 tetor në “Elbasan Arena”, në kuadër të eliminatoreve të Europianit “Francë 2016”, po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e ekspertëve të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të kësaj përballje, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit grupi i punës po diskuton për masat e marra deri tani dhe për masat shtesë, që duhet të merren për garantimin e Rendit e Sigurisë në stadium e jashtë tij, për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se masa të rrepta janë marrë për mbarëvajtjen e takimit. Po ashtu, masa po merren për të ruajtur rendin dhe sigurinë si nga ajri, ashtu edhe nga toka. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit mësohet se masa po merren në drejtim të qarkullimit rrugor, të kontrollit të tifozëve në hyrje për në stadium, por edhe të atyre që s’do mund të hyjnë dot.
Po ashtu, mësohet se do të jenë të angazhuar gjatë ditës së ndeshjes dhe forcat RENEA, të cilat do të jenë mobilizuar në lartësitë e pallateve. Masa do të ketë edhe për ballkonet e pallateve përreth stadiumit. Asnjë kryefamiljar nuk mund të fusë në banesë persona të tjerë, përveç familjes së tij.
Policia bënë thirrje që askush të mos bëjë asnjë tentativë, pasi çdo banesë përreth stadiumit do të kontrollohet imtësisht dhe çdo ballkon do të ketë punonjës policie.
Burime nga Policia e Shtetit njoftojnë se gjatë takimit po diskutohet edhe mbrojtja e skuadrës mike dhe personave që do të vijnë nga Serbia për këtë takim. Masat ekstreme si nga ajri, ashtu edhe nga toka, do t’i besohen Forcave RENEA.
Policia e Shtetit në këtë drejtim kërkon dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët me ndihmën dhe sjelljen e tyre mund të bëhen pjesë e rrugës drejt ëndrrës europiane të skuadrës përfaqësuese shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

