Shqipëria drejt ”Euro 2024”, presidenti Duka: Rama do kontribuojë në premio si për rrogën e trajnerit
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është ndalur te suksesi i Shqipërisë që është vetëm një hap larg Euro 2024. Ai ka folur për rrugëtimin drejt këtij suksesi me në krye Silvinjon, por ka folur edhe për temat e nxehta rreth kombëtares shqiptare të futbollit, duke filluar nga Armando Broja.
Z. Duka, posti i zëvendëspresidentit të UEFA-s të ka ndryshuar pak, tani je më papërmbajtshëm në dhomat e zhveshjes. Të kemi parë në një version ultras, duke festuar pafund me lojtarët dhe stafin, kaq emocione të forta ke përjetuar këtë periudhë?
E para, të jesh tifoz i Kombëtares shqiptare të jep shumë emocione, të bën të papërmbajtur, aq më shumë të jesh në detyrën e presidentit, e shton edhe më shumë kënaqësinë, apo emocionin që dhuron një ndeshje futbolli. Ajo që ka dhuruar ekipi Kombëtar ka qenë me të vërtetë fantastike, kundër kundërshtarë shumë të fortë. Po dëgjoja në media rekordet që kemi thyer, vetëm këto të dëgjosh aq i madh është gëzimi, aq më shumë kur e mendon se do të shkosh në një kompeticion kaq të madh sa “Euro2024”. Ka qenë legjitim gëzimi, jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Mendoj se ka qenë tema kryesore e diskutimit në të gjithë muajin tetor.
Të kemi parë në lot, duke përqafuar këdo. Duket sikur po e përjetoni pak më shumë këtë kualifikim për në Evropian, çfarë e bën ndryshe nga “Euro 2016”?
Nuk besoj se janë të krahasueshme, janë të dyja të bukura të dyja. Ka qenë shumë emocionuese edhe kualifikimi në Euro 2016, pasi ka qenë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, por në këto kualifikuese kemi qenë më shumë bindës. Kemi bërë rezultate fantastike, kemi humbur vetëm një ndeshje, ndeshjen e parë, mbase edhe atë nuk duhet ta humbnim, kemi barazuar një dhe kemi fituar të tjerat. Paraqitja e ekipit ka qenë më të vërtetë shumë bindëse, gola shumë të bukur, spektakël, spektakël në shkallet e stadiumin, në një stadium edhe më të bukur se në 2016, pra çdo gjë është pak më e bukur, por nuk e zbeh kënaqësinë dhe mocionin që na ka dhuruar 2016. Tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që ta shijojmë, por që ta shijojmë duhet të marrim edhe një pikë, por për ta marrë atë pikë nuk është e lehtë. Festa për skuadrën besoj se ka përfunduar, jam i bindur që skuadra e kupton që nuk ka vend për festë, festa është pasi ta marrim atë pikë, pra duhet të kthemi me këmbë në tokë. Nuk shkojmë me matematikë as në Moldavi e as kundër Ishujve Faroe, por duhet të shkojmë për t’i fituar të dy ndeshjet, për të qenë në një pozicionim më të mirë, për të qenë të parët e grupit, për të qenë në një pozicion më të mirë në short dhe pse jo në renditjen e FIFA-s
Kaq shumë është ndezur ambienti këtë herë, sa në miqësore erdhën jo vetëm 14 mijë tifozë, por dhe kryeministri Rama. Çfarë mendon ai për këtë Kombëtare, kur do t’ju ftojë në podkastin e tij, se Silvinjon e mori…
Me vjen mirë dhe kështu duhet të jetë. Ekipi Kombëtar duhet mbështet në çdo ndeshje, nuk ka rëndësi për çfarë luan. Kur vesh fanellën kuqezi është një gjë e rëndësishme, është një eveniment për futbollistët, por dhe për tifozët, duhet të jenë gjithnjë aty, këtë kanë bërë tifozët, këtë ka bërë edhe Kryeministri, por duhet ta vazhdojmë këtë lloj kulture. Aq më shumë që kjo skuadër meriton më shumë vëmendje, më shumë mbështetje nga të gjithë faktorët në vend.
Po e përjetojnë shumë edhe në Kosovë këtë Kombëtaren. Albin Kurti bëri tifo pafund, çfarë raporti keni me kryeministrin e Kosovës, nuk mërzitet që po i merr shumë lojtarë?
Çdo shqiptar që ndihet shqiptar gëzohet. Çdo qytetarët i Kosovës, pasi më shumë se 90% e tyre janë me kombësi shqiptarë, e ndjejnë shumë, mbase e ndjejnë më shumë se sa ne, pasi i ka munguar ajo ndjenja e nacionalizmit, i kanë munguar ngjarje për tu bërë krenar, ku ka ngjarje të tillë, jo vetëm ato të Kosovës, pasi nuk ka qenë vetëm Kurti, por edhe zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, që po ashtu është shqiptar, edhe ai i Malit të Zi, pra ndihen krenar për flamurin e tyre. Kjo bën që të mos ketë hatër mbetje, por vetëm të festojmë të gjithë së bashku për rezultatet që dhurojnë futbollistët në fushën e lojës.
President, kjo Kombëtare po bën atë që nuk po bën dot politika, keni bërë bashkë Shqipërinë e madhe në fushë dhe në tribuna, por nuk arritët të bënit dot bashkë Ramën dhe Kurtin, ishin të ndarë në tribunë. Kaq e vështirë është t’i bësh bashkë në këto momente?
Ne, por më shumë ekipi Kombëtar, i ka bërë bashkë. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare, ne i kemi bërë bashkë për sa kohë i kemi sjell në stadium, për më tej ato duhet t’i shohin vetë punët e tyre.
A tentuat dhe folët më stafet e dy kryeministrave për t’u ulur pranë? Do ishte më i plotë ky bashkim, se sa duke bërë tifo në kate të ndryshme…
Të dy janë lajmëruar nga protokolli i shtetit shqiptar për të ardhur në stadium. Në kohën kur janë lajmëruar janë akomoduar në vendet më të mirë të mundshme, besoj se kanë qenë akomoduar shumë mirë, mbase miqtë nga Kosova dhe Maqedonia kanë qenë edhe në kushtet më të mira se sa Rama, sepse kanë qenë në kushtet komode të ofruara nga Federata e Futbollit.
Pasi morët mbi 300 mijë kërkesa për biletë për sfidën me Republikën Çeke, a jeni bërë pishman që nuk ndërtuat një stadium më të madh në kryeqytet? A keni një plan B, mbase mund ta diskutoni edhe me Ramën…
Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur qe kemi atë stadium. Padyshim që në ndeshje të tilla nuk do të ishte i mjaftueshëm as dyfishi i atij stadiumi, por duket parë zhvillimet, mundësitë, kemi mjaftueshëm stadiumin “Air Albania”. Unë uroj që kjo skuadër të shkojë akoma më lart dhe pse jo në të ardhmen të bëjmë një stadium edhe më të madh, sepse tifozët afrohen më shumë kur ka rezultate më të mirë, por në asnjë moment nuk jam penduar, jam shumë i gëzuar për stadiumin që kemi.
E prisje realisht që mund të bëje një bingo të tillë me Silvinjon? A keni diskutuar këtë periudhë për t’i rinovuar kontratën? Vetëm mos më thuaj që pasi të sigurojmë matematikisht kualifikimin, ju jeni biznesmen, e di shumë mirë që tregu lëviz shpejt…
Kur kemi vendosur për të pasur Silvinjon, edhe trajneri e di qe ne kemi kontaktuar edhe të tjerë. Vendosëm në ato kohë për Silvinjon, por asnjë herë nuk mund të jesh i sigurt sepse janë shumë gjëra që ndikojnë në rezultat, nuk mjafton vetëm trajneri. Jam shumë i gëzuar pasi mund të themi që është një “bast i fituar”, të paktën deri tani, por rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht. Kemi një skuadër të mirë, me çuna me talent që janë shumë të lidhur me fanellën, që e duan fanellën, që japin gjithçka për të dhe kjo është shumë më e rëndësishmja. Drejtimi dhe organizmi i punës nga Silvinjo dhe nga stafi i tij ka qenë shumë i mirë. Përkushtimi i tyre ka qenë si kurrë më parë, përgatit gjërat deri në detaje për të qenë sa më mirë në fushën e lojës. Përgatitja e të gjithë këtyre gjërave, padyshim edhe skema, talenti etj, ka sjellë këto rezultate, por e thashë nuk jemi ende në Evropian. Në Evropian do të jemi pasi të bëjmë dy rezultate pozitive, ne duhet t’i luajmë këto dy ndeshje me shumë seriozitet.
Jeni bërë pishman që nuk i ofruat Silvinjos ndonjë test miqësor më shumë, mos humbëm më shumë kohe se sa duhej me Edi Rejan?
Ne kemi respektuar kontratën me Edi Rejan deri në ndeshjen e fundit, më pas firmosëm me një trajner tjetër. Pa dyshim që nëse do të kishte ndeshje miqësore në dispozicion do të ishte akoma më mirë, por i tillë ka qenë kalendari. Megjithatë, kjo nuk na ka cenuar, nuk na ka prekur në rezultate, pasi kemi bërë rezultate shumë të mira, madje që në ndeshjen e parë me Polonisë që mbase nuk e meritonim ta humbnim.
Cili është detaji, apo lojtari, më thuaj diçka që të ka bërë më shumë përshtypje në këtë kualifikuese?
Unë nuk e kam zakon të flas me emra të përveçëm, por nuk rri pa e thënë që janë dy emra që kanë bërë diferencën në këtë edicion. Asani me golat fantastikë që ka shënuar dhe mbrojtësi i majtë Mitaj që është një djalë i ri me talent që nuk ka qenë më parë pjesë e ekipit të parë, por ka luajtur me të gjithë ekipet zinxhirë. Mbase këto janë dy gjërat e veçanta pasi pjesa tjetër e ekipit është e njohur për ne, të gjithë janë shumë të mirë, por janë të njohur për publikun. Këto dy ishin prurjet e reja që i dhanë ekipit një shtysë pozitive.
President, kur sheh golat që realizon sot Shqipëria duket sikur sheh Sulvinjon dikur, nuk kemi parë kurrë një Shqipëri të tillë. Cili është goli që të ka shijuar më shumë?
Goli i Seferit, që mezi kaloi vijën fatale. Goli është gjithnjë i bukur, të jep tre pikë (qesh).
President, të gjithë kemi qejf të vendosim nota, të komentojmë etj. Dua një koment shumë të shkurtër për disa lojtarë, mundësisht me nga një fjali. E nisim nga kapiteni i ri, Gjimshiti?
E para është një djalë fantastik, përveç se është simpatik, por është dhe djalë shumë i mirë, një futbollist i nivelit të lartë, i nivelit botëror. Një figurë e kompletuar 100%
Hysaj, nuk duket shumë i shqetësuar që iu hoq shiriti…
Hysaj është një futbollist që akoma nuk ka mbushur 30 vjeç, por ka shumë ndeshje në ekipin Kombëtar, ka rreth 80 ndeshje deri tani. Ka kontribute shumë të mëdha, kapiten i ekipit, lojtar shumë i mirë, luan në nivele të larta, te Lacio. E keqja e Hysajt është se ai do të bëjë shumë më shumë se sa bën te Lacio, shpesh kur kërkon të bësh më shumë mbase nuk bën më të mirë, por dëshira është e madhe
Jasir Asani, pse kaq vonë?
Zgjedhje teknike dhe skematike. E kemi diskutuar edhe me stafin e Kombëtares. Me skemën që luajte Edi Reja 3-5-2, Jasir Asani përsëri do ta kishte të vështirë të kishte një vend në ekipin kombëtar. Me skemën që luajmë tani, që mua më duket skema më e përshtatshme për mënyrën se si luajmë, e gjen më lehtë vendin në Kombëtare. Silvinjo, duke pasur parasysh skemën që ai kërkonte të luante, ka qenë në kërkim të një lojtari të tillë, që është i majtë, por që luan djathtas. Pra, përveç kualitetit të tij, që luan shumë mirë, është edhe skema që e ka favorizuar dhe është bërë shumë mirë që është afruar, të gjithë jemi të kënaqur me atë që ka dhënë.
Dyshja Asllani-Bajrami?
Goli që Bajrami ka shënuar në Çeki ka qenë fantastik. Është një djalë fantastik, i disponueshëm. Në përgjithësi sportistët kanë tekat e veta në lidhje me pozicionin, Bajrami nuk ka asnjë lloj pretendimi, ku të ketë nevoja skuadra jam i gatshëm thotë, edhe portier thotë jam i gatshëm. Kjo e bën që të jetë më i lirshëm që të japë akoma më shumë. Mendoj që është një nga kualitetet më të mira që kemi në skuadër. Asllani? Një ekip i niveleve të larta si Inter nuk mund të marrë një lojtar që nuk ka kualitet. Ka qenë lider në ekipin U-21, ka qenë determinant në këto ndeshje, në ndeshjen e fundit ka qenë fantastik.
A ka një çështje Broja, nuk dua të bëj lajm me këtë pyetje, por ka shumë interes nga tifozët. Ka diçka që kërcet, ikën nga grumbullimi, del menjëherë në stërvitje te Çelsi, nuk preferon të qëndroj në stadium, ndryshe nga Ismajli. Si është e vërteta?
Unë besoj se të vërtetën e ka sqaruar vetë trajneri. Ne nuk mbajmë asnjë herë të fshehta, e kemi për detyrë të themi të vërtetën. Unë nuk jam mjek të them se sa ka qenë shkalla e dëmtimit, por futbollisti ka ardhur në ekip për të luajtur për dy ndeshjet e radhës. Pasi ka dalë në stërvitje ka ndjerë dhimbje në gjurin e majtë dhe i ka thënë trajnerit që jam i pamundur për të luajtur, pastaj Çelsea duke qenë i shqetësuar ka kërkuar që futbollisti të kthehet urgjent të kurohet në Londër. Për sa kohë nuk ishte i gatshëm për të luajtur, dhe përderisa Çelsi dhe futbollisti mendonin se kjo ishte më e mira, ne nuk mund ta pengonim. Nuk është se ka një çështje Broja-Silvinjo. Broja nuk është nga ata që krijon çështje, është një djalë i ultë që flet pak me gojë, por shumë me këmbë.
Unë e di që ju, stafi i FSHF-së, ka nisur të mendojë për Gjermaninë. Pas Euro 2016 humbëm dy super talente si Rrahmani dhe Rashica, a rrezikojmë të njëjtin skenar edhe këtë herë. Kemi shumë yje, por jo të gjithë mund të jenë besnik si Gjimshiti…
Kjo është fatura e trajnerit, është risku i tij. Ne kemi më shumë se 23 futbollistë që meritojnë të jenë në Evropian, por rregullat janë të tilla, nuk mund të kesh më shumë se 23 futbollistët. Trajneri dhe stafi do ta marrin këtë kosto dhe do të zgjedhin 23. Uroj që të gjithë të jenë të shëndetshëm deri ditën e parë të Evropianit, por vetëm 23 do të jenë pjesë. Edha ato që nuk do të jenë duket të mirëkuptojnë vendimet e trajnerit, këto janë rregullat e lojës. Në fakt ka qenë e vështirë edhe në Euro 2016. Unë kam qenë dëshmitar kur katër nga lojtarët nuk u përzgjodhën, u mërzitën të gjithë, u ndamë në lot. Nuk është e lehtë.
A mund të jemi një Marok i vogël në Gjermani, nuk po them të imitojnë Greqinë, se ata nuk dinin të shënonin gola kaq të bukur…
Ne do të jemi një Shqipëri e madhe në Gjermani, jo një Marok i vogël.
Flitet për një premio prej 4,5 milionë euro për lojtarët dhe stafin, është e vërtetë? Po Rama të ka premtuar diçka, se pasaportat diplomatike i morët një herë…
Ne që në fillim, çdo edicion, përcaktojmë premio. Brenda këtij vendimi do të jetë edhe për Evropian, edhe për stafin është e kontraktuar premio. Edhe qeveria do të kontribuojë në këtë shumë. Ka pasur një kontribut edhe në fund të vitit të kaluar për kontratën e trajnerit, besoj do të ketë sërish një premio nga qeveria për stafin, nëse do t’i ndajmë kështu.
Tani me stofin e zëvendës presidentit të UEFA-s besojnë keni një objektiv të ri, një ëndërr të re, se Evropiani është bërë detyrim, cila është ëndrra me e madhe e Dukës?
Ëndërr ka qenë edhe kualifikimi në Evropian, e kemi realizuar në vitin 2016 dhe pretendojmë edhe njëherë tjetër në 2024, por niveli më i lartë i nivelit sportiv është Botërori dhe pse jo, do ta tentojmë për 2026. Por që ta tentojmë duhet të shohim edhe shortin sepse varet edhe nga kundërshtaru. Megjithatë, ky është një ekip me kualitet të mirë, me një mentalitet të duhur për të qenë pjesë edhe i një Botërori. Pra, objektivi më i lartë mbetet kualifikimi për Botëror.
Një pyetje e fundit, do ta rishikoni skemën e kampionatit. Duket sikur nuk po e jep efektin që pritej, të paktën duke iu referuar deklaratave të aktorëve…
Ne duhet ta shohim deri në fund, pastaj të nxjerrim konkluzionet. Ne kemi kohë që luajmë me një skemë me 10 skuadra, me katër faza vajtje-ardhje. Nuk është se kemi vendosur në një ditë që të bëjmë një mbyllje të kampionatit me një “Final 4” për të patur një spektakël finale për të shpallur skuadrën kampione.
Kur kjo skemë vendoset nga fillimi nuk ka pse paragjykohet, sepse të gjithë e dinë se çfarë po luajnë. Kemi eksperienca të tilla me “Final 4” dhe që kanë rezultuar pozitive. Dhe ne kemi bindjen që kjo do të jetë pozitive. Pastaj, nëse do të kërkosh gjilpërën në kashtë, e gjen gjithkund. Çdo skemë ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne mendojmë se kjo skemë ka më shumë të mira se sa të këqija. Do të ketë shumë më shumë emocione në fund, në ndeshjet e “Final 4” dhe nuk i heq asnjë gjë kampionatit.
Nuk besoj se kishte ndonjë gjë për të kritikuar në kuptimin sportiv ndeshjen derbi. Pra, vazhdon të bëhet një kampionat i mirë, nuk mund të ketë tolerime sepse del jashtë katërshes, por edhe brenda katërshes ka stimuj të tjerë që nuk të lejojnë të bësh tolerime. Kështu që unë mendoj se është një skemë e mirë, e diskutuar padiskutim, çdo gjë e re diskutohet, por pasi i shijon, mund të bëjnë edhe autokritika, siç ishin shumë ato që ndodhën me Silvinjon në emërimin në krye të Kombëtares. /Emisioni “Sport News”/