Shqipëria e 22-ta në botë nga FIFA, Giani de Biasi: Ngjitja vazhdon
Kombëtarja Shqiptare e futbollit pritet të ngjitet e 22-ta në botë. Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, për t’i dhënë fitoren në tavolinë 3-0 Shqipërisë për ngjarjet e stadiumit të Beogradit, e ka ngjitur kombëtaren kuqezi në një vend historik sa i përket renditjes së përgjithshme të FIFA-s për muajin korrik. Lista zyrtare do të publikohet këtë të enjte dhe mësohet se nga vendi i 36-të, ku renditeshin një muaj më parë, kuqezinjtë e De Biasit do të klasifikohen në vend të 22-të, duke lënë pas për herë të parë në histori përfaqësuese e tilla si Franca, Danimarka, Gana, Rusia dhe Suedia. Të gjitha këto skuadra ishin pjesëmarrëse në finalet e fundit të Kupës së Botës, “Brazil 2014”.
Grupi I, më mirë Portugalia
E vetmja kundërshtare e Grupit I, që do të mbesë në një pozicion më të mirë se Shqipëria, është Portugalia, që nga vendi i shtatë ngjitet në vend të gjashtë. Këtë muaj spikat rënia drastike e Serbisë, që pritet të humbasë 21 vende. Shqipëria dhe Meksika janë të vetmet kombëtare që për muajin e fundit do të ngjiten 14 shkallë, në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Ndërkohë vendi i parë në klasifikimin e përgjithshëm nuk i përket më Gjermanisë, por edhe këtë muaj i mbetet Argjentinës. Surprizën do ta bëjë Belgjika që sposton Gjermaninë në vendin e tretë. Pozicioni i mëtejshëm i kuqezinjve do të bazohet në varësi të rezultateve që do të arrijë Shqipëria, ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.
Gianni de Biasi
Shqipëria pritet të ngjitet në klasifikimin global të FIFA-s aty ku nuk ka qenë kurrë më parë, në vendin e 22 në Botë dhe diçka e tillë nuk mund të linte indiferent edhe trajnerin e kuqezinjve, Gianni de Biasi që ka komentuar në profilin e tij në “Facebook”. “Vazhdon ngjitja e Shqipërisë në klasifikimin e FIFA-s, që në këtë muaj Gushti kalon nga vendi i 36-të në të 22-in, duke kaluar vende si Franca, Danimarka dhe Gana”. Edhe pse një koment i thjeshtë, De Biasi që zakonisht qëndron me “këmbë në tokë’ duke kërkuar të evitojë euforinë. Këtë herë, kuptohet krenaria e tij për progresin e padiskutueshëm të Shqipërisë në kualifikueset e fundit. Vetëm një muaj më parë Shqipëria shënoi një tjetër rekord, duke u ngjitur në vendin e 36-të, në botë. Por trajneri i kuqezinjve preferoi të mos i jepte shumë rëndësi këtij fakti duke vënë theksin te puna me grupin dhe ndeshjet që ka përpara. Takimet e radhës me Danimarkën dhe Portugalinë do të thonë shumë mbi fatin e Shqipërisë për t’u kualifikuar në finalet e “Francë 2016”. Tekniku italian para këtyre takimeve është i fokusuar pikërisht te këto ndeshje duke vijuar gjatë kësaj “pauze” punën me ndjekjen konstante të formës dhe situatës së futbollistëve të Kombëtares dhe si gjithmonë dhe me vëzhgimin e talenteve potencial për t’u bërë në të ardhmen pjesë e ekipit kombëtar.
A. Muraçi
Danimarka e Portugalia
Ndeshjet e shtatorit, vendimtare për kuqezinjtë
Shqipëria si kurrë më parë është shumë pranë kualifikimit në finalet e “Euro 2016″, pasi renditet e treta në Grupin I në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka grumbulluar edhe Danimarka, por formacioni i De Biasit ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Në vend të parë klasifikohet Portugalia, në kotën e 12 pikëve. Dy ndeshjet e radhës së kuqezinjve me Danimarkën në transfertë dhe me Portugalinë në “Elbasan Arena”, që do të zhvillohen në fillim të muajit shtatorit, do të jenë vendimtare për kualifikimin direkt të Shqipërisë në finalet e Europianit. Ka qenë pikërisht ecuria e kualifikueseve të fundit që ka ndikuar në pozicionimin e fundit të kuqezinjve.
KOHA JONË SONDAZH

