Shqipëria e 36-ta në botë, sot pret nga CAS edhe 3 pikët e mohuara me Serbinë
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur renditjen më të mirë në histori, në klasifikimin e muajit të fundit nga FIFA. Një ditë para se të jepet vendimi i CAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, mbi ndeshjen Serbi-Shqipëri, kuqezinjtë kanë njohur progresin më të madh në historinë e tyre. Mediat daneze raportojnë se CAS mund t’i japë tre pikë Shqipërisë, çka do të ishte sukses edhe më i madh për të besuarit e Gianni de Biasit, pasi mund të ngjiten në krye të Grupit.
Kuqezinjtë renditen në vendin e 36 në renditjen e publikuar të enjten nga organizmi drejtues i futbollit botëror, duke u përmirësuar me 15 vende nga renditja e muajit të kaluar. Shqipëria ka lënë pas kombëtare si Serbia, Greqia, Turqia dhe Sllovenia.
Renditja më e mirë e Shqipërisë ka qenë ajo e prillit të vitit 2013, kur arriti të kapte vendin e 37.
Me këtë renditje, Shqipëria blindon vendin e saj në vazon e tretë të shortit të eleminatoreve të Botërorit “Rusi 2018” që do të hidhet në 25 korrik, ku do të ketë mundësinë që të ketë në grup 3 skuadra me koeficient më të ulët, pra teorikisht më të dobëta.
Argjentina ka marrë kryesimin e kësaj renditjeje, duke çuar në vend të dytë Gjermaninë. Dhjetëshja e parë plotësohet nga Belgjika, Kolumbia, Holanda, Brazili, Portugalia, Rumania, Anglia dhe Uellsi.
KOHA JONË SONDAZH

