Shqipëria gati për sfidën ndaj Polonisë, Mehmeti merr numrin e Asanit
Kombëtarja shqiptare ka hyrë në fazën përgatitore për përballjen e rëndësishme ndaj Polonisë në Varshavë, një duel që pritet të ketë peshë historike për ecurinë e kuqezinjve. Krahas përgatitjeve në fushë, lista zyrtare prej 23 lojtarësh ka zbuluar edhe disa zhvillime interesante sa i përket numrave që futbollistët do të mbajnë në këtë ndeshje.
Një nga ndryshimet më të spikatura lidhet me rikthimin e Anis Mehmetit, i cili pas një mungese të gjatë është rikthyer në përfaqësuese dhe do të mbajë fanellën me numrin 9. Ky numër zakonisht i përkiste Jasir Asanit, por për këtë sfidë sulmuesi nuk do të jetë pjesë e skuadrës aktive, pasi është lënë në tribunë nga trajneri brazilian Silvinjo.
Ndryshime ka edhe në repartin ofensiv, ku numri 7, që mbeti vakant pas dëmtimit të Rey Manajt, i është besuar Adrion Pajazitit. Ky vendim shihet si një sinjal besimi për mesfushorin e ri, i cili pritet të ketë një rol më të rëndësishëm në këtë përballje.
Risi nuk mungojnë as në mbrojtje. Dy emra të rinj, Stavro Pilo dhe Bujar Pllana, janë përfshirë në listë dhe pritet të bëjnë debutimin e tyre me fanellën kuqezi, duke mbajtur respektivisht numrat 19 dhe 15.
KOHA JONË SONDAZH

