Shqipëria ka 4 medalje në Ballkaniadën e Atletikës, shkëlqen Luiza Gega me dy të arta
Shqipëria bëri një tjetër performancë fantastike në atletikë. Katër medalje të fituara nga sportistët kuqezi në Kampionatin Ballkanik të Sallave të mbyllura mbajtur në Stamboll të Turqisë. Luiza Gega u konfirmua si një prej atleteve më të mira në Europë, pasi arriti të fitojë dy medalje të arta. Ajo doli kampione në garën e 1500 metrave dhe 3000 metrave.
Në 1500 metra me pengesa, Gega regjistroi kohën, 4 minuta, 15 sekonda e 84 të qindat. Ndërkaq, në 3000 metra, koha fituese e Gegës ishte 9 minuta e 7 sekonda, për të lënë pas rivalen turke me rreth 6 sekonda.
Tek atletet, Shqipëria fitoi medaljen e bronztë në vrapimin stafetë, 4×400 metra. Por në konkurrencë ishin vetëm tre ekipe. Turket fituan të artën, Kroacia ishte e dyta, ndërsa Shqipëria e treta. Në vrapimin 400 metra, Franko Burraj u rendit i treti me kohën 46 sekonda e 89 të qindat. Ky ishte kampionati i 28-të ballkanik në palestër.
Në renditjen ekipore, Rumania ishte më e suksesshmja me tri të arta e një të argjendtë. Shqipëria ishte e dyta me dy të arta e dy të bronzta, ndërsa Turqia e treta, me një të artë, pesë të argjendta e dy të bronzta.