Shqipëria nuk mposhtet, ëndrra “Francë 2016” drejt realizimit

Kombëtarja Shqiptare merr një barazim dramatik në Danimarkë, barazim pa gola, por që ndoshta mund t’i sigurojë kualifikimin direkt në “Francë 2016”. Do të ishte një arritje historike dhe më e rëndësishme e merituar nga ana e kuqezinjve. Pas barazimit pa gola me Danimarkën, kuqezinjtë mbeten me pikë të barabarta me danezët, nga 11 secila, por janë një pikë pas Portugalisë ndaj së cilës do të luajmë më 7 shtator në Elbasan. Dy ndeshjet e fundit me Serbinë dhe Armeninë, janë shansi ideal për Shqipërisë që të sigurojë kalimin historik në një event të madh. Dy vendet e para të grupit tonë shkojnë direkt në Francë 2016” dhe vendi i tretë në “Play-off”. Rrugëtimi vazhdon, por tashmë ëndrra e madhe është drejt realizimit.     

Shqipëria

Kuqezinjtë zbritën me një skemë 4-5-1, ku kavajasi Cikalleshi ishte i vetëm në sulm. De Biazi tentoi ta frenojë manovrën ofensive të danezëve që në mesfushë, në mënyrë që të mos bjerë barra e madhe mbi mbrojtjen, një repart i rikonfiguruar për arsye lëndimesh dhe mungesash. Kështu, duke qenë se Hysaj ka një problem në njërën kofshë, ai është zëvendësuar nga Ajeti. Përkrah Canës, në qendër të mbrojtjes, u aktivizua debutuesi Xhimshiti. Lojtari i FC Zurihut grumbullohet për herë të parë në kombëtaren shqiptare. Majtas, në mbrojtje, ka vend për të përhershmin Agolli, që duhet të avancojë përpara kur sulmojnë kuqezinjtë, pasi njihet për krosimet e përpikta drejt sulmit. Porta nuk ka asnjë dilemë, i takon Etrit Berishës. Fakti që Abrashi mbron më shumë, fizikisht qëndron më lart, po ashtu ka luajtur rregullisht me Freiburgun në Bundesligë, i kanë dhënë përparësi atij. Qëllimi parësor është të mos pësojmë gol, sidomos në pjesën e parë, dhe De Biasi ia doli sërish.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndeshja

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndeshja nisi me danezët më agresivë që ushtrojnë menjëherë presion në mbrojtjen e kuqezinjve. Të besuarit e Gianni De Biazit qëndrojnë të tërhequr dhe presin kundërshtarin. Megjithatë, Danimarka ka vështirësi të kërcënojë, falë edhe murit të mbrojtjes kuqezi. Shqipëria fillon të shtyjë disi përpara dhe në minutën e 24-ët vjen rasti më i mirë kur Lenjani kroson rrezikshëm drejt zonës, Cikalleshi godet me kokë, por devijon në goditje këndi me vështirësi nga portieri danez. Danezët gjithashtu kundërpërgjigjen duke sulmuar vazhdimisht, por sërish rreziku mungon në portën e Berishës. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0. Shqipëria në pjesën e dytë luajti sërish e kujdesshme në mbrojtje, për të marrë qoftë  një pikë, që konsiderohet tepër e vlefshme. Misioni në pjesën e dytë ishte i qartë. Pesë minutat e para të pjesës së dytë janë disi më të qeta, por më pas vijnë dy gabime ku në rastin e parë devijon Agolli në korne, ndërsa Berisha bëhet hero edhe njëherë tjetër, teksa pret një top shumë të rrezikshëm drejt portës sonë. Danezët bëjnë presing, duke marrë edhe goditje këndi radhazi. Edhe Krohn-Dehli humb një rast përballë portierit tonë, që pret me siguri. Edhe Bendtner humb një rast të artë, por më shumë meritë ka Cana, që i heq topin nga këmbët. Ka edhe një gol për vendësit, në 74’, por është jashtë loje. Kuqezinjve u mungon freskia dhe nuk kundërsulmojnë. Në fund mbrohet rezultati dhe nuk ka gola, mbaron 0-0.

 

Danimarkë – Shqipëri  0-0

 Danimarka: Shmajkël, Jakobsen, Ager, Kjaer, Durmishi, Sisto (Y. Poulsen 46’), Kvist (J. Poulsen 46’), Krohn-Dehli, Jojberg, Bendtner, Jorgensen. Trajner: Marten Olsen

Shqipëria: Berisha, Xhimshiti, Ajeti, Cana, Agolli, Kukeli, Abrashi (Basha 64’), Xhaka, Gashi, Lenjani (Sadiku 64’), Cikalleshi. Trajner: Xhani De Biazi

Kartonë të verdhë: Jakobsen 32’, Kjaer 86’ / Agolli32’, Ajeti 75’, Kukeli 77’, Xhaka 86’

Gjyqtarë: William Collum, D. MacGraith , F. Connor (SCO)

 

Grupi I –Sot

Danimarkë-Shqipëri                        0 -0

Serbi-Armeni                                  2-0

 7 shtator

18:00 Armeni -Danimarkë

20:45 Shqipëri-Portugali

Klasifikimi            N                             P

Portugalia           5                              12

Danimarka          6                              11

Shqipëria            5                              11

Serbia *               6                              1

Armenia               6                              1

Serbia: -3 pikë

 

Rama hap sheshin para kryeministrisë për tifozët

 Ashtu siç pritej, tifozët kuqezi krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme para ndeshjes me Danimarkën. Shumë prej tyre shoqëruan ekipin në Kope shagen, disa prej të cilëve nuk mundën dot të futeshin në stadium. Kuqezinjtë janë ndjerë edhe në kryeqytetin danez si në shtëpinë et yre, teksa postuan foto të entuziazmit kuqezi. Por edhe në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare tifozët krijuan atmosferën e duhur, si gjithnjë para ndeshjeve të rëndësishme të ekipit tonë kombëtar.  Entuziazmit të tyre iu bashkua edhe kryeministri, Edi Rama, i cili ka hapur sheshin e blertë pranë kryeministrisë për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur, Danimarkë-Shqipëri. Shefi i qeverise shqiptare shkruan në postimin e tij në Facebook se “Për treçerek ore nis mbrëmja e kuqezinjve… Forca Shqipëria”. Duhet theksuar se në stadium, në vendet ku ishin ulur tifozët danezë, sikurse ishte paralajmëruar  nga autoritetet vendase nuk janë lejuar tifozët kuqezi, megjithatë ata ishin të shumtë pas portave dhe jashtë dyerve të stadiumit, në mbështetje të ekipit tonë kombëtar.  Barazimi pa gola në fund, ishte një tjetër rezultat jo zhgënjyes për tifozët kuqezi dhe Shqipërinë.  Ndaj Danimarkës që kërkonte fitoren për të siguruar direkt kualifikimin, kuqezinjtë zhvilluan një tjetër ndeshje admiruese dhe merituan të dilnin me pikë nga Kopenhagen. Dhe festa kuqezi, pavarësisht se mungoi fitorja, në këtë rast nuk ka munguar. Ka një motiv më shumë, që në Elbasan përballë Portugalisë, at mosmera të jetë vërtet e jashtëzakonshme.    

 

FSHF

Biletat “on line” me Portugalinë, të garantuara për tifozët

Përmes një komunikate për shtyp, Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi të gjithë sportdashësit që kanë blerë bileta “online” për ndeshjen ndaj Portugalisë, që do të luhet të martën, më 7 shtator, ora 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”. Cristiano Ronaldo me shokë do të jenë kundërshtarët e radhës për kuqezinjtë, në një ndeshje që pritet me padurim nga tifozët e shumtë kuqezi. Sipas FSHF-së, tifozët duhet të jenë të qetë, sepse ato janë të garantuara 100%. “Ky njoftim bëhet për shkak të një shqetësimi në rritje të sportdashësve të përcjellë në rrjetet sociale, nëpërmjet”‘e-maileve” dhe shumë telefonatave, që kanë mbërritur gjatë këtyre ditëve në institucionin e futbollit. Tifozët mund të paraqiten në stadium ditën e ndeshjes me biletën elektronike të printuar dhe duhet që patjetër të jenë të pajisur edhe me një dokument identifikimi, i cili mund të jetë kartë identiteti ose pasaportë biometrike”, thuhej në njoftimin e FSHF-së. Për ndeshjen me Portugalinë, ende nuk kanë dalë bileta në shitje nëpër sportelet në Tiranë dhe Elbasan, ashtu siç ka ndodhur në sfidat e kaluara.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?