Shqipëria pa medalje në xhudo dhe qitje/ Eliminohen Çullhaj, Brahimaj e Konini nga ”Taranto 2026”
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” vijojnë aktivitetin me pjesëmarrjen e 26 shteteve dhe rreth 3900 sportistëve. Në këtë kompeticion madhor është e pranishme edhe Shqipëria, e cila deri tani ka arritur të sigurojë tre medalje, të gjitha në disiplinën e mundjes.
E premtja nuk solli medalje për kuqezinjtë në xhudo. Indrit Çullhaj garoi në kategorinë deri në 81 kilogramë, por u eliminua pas humbjes ndaj turkut Vedat Albayrak. Xhudisti shqiptar pati mundësinë të rikthehej në garë përmes fazës së ripeshkimit, por edhe në këtë përballje nuk arriti të triumfojë, duke u mposhtur nga algjeriani Abdelslam Belbelhout.
Edhe në garën e femrave Shqipëria nuk mundi të avancojë. Erisa Brahimaj u përball me algjerianen Amina Berrahoual në kategorinë deri në 57 kilogramë, por e mbylli këtu aventurën e saj në “Taranto 2026”.
Ndërkohë, sot ishte radha e qitjes. Manjola Konini garoi në disiplinën e pistoletës me ajër në distancën 10 metra, duke e përfunduar raundin kualifikues në vendin e 25-të me 547.0 pikë. Rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për një vend në finale, ku do të kualifikoheshin vetëm tetë sportistet më të mira.
Pavarësisht paraqitjeve në xhudo dhe qitje, Shqipëria ka arritur të marrë tre medalje në Lojërat Mesdhetare. Islam Dudaev u shpall fitues i medaljes së artë në stilin e lirë, Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e argjendtë, ndërsa Ardit Zeneli mori medaljen e bronztë në stilin greko-romak.
Tashmë fokusi i delegacionit shqiptar është te disiplinat që pritet të sjellin mundësi të tjera për medalje. Më 30 gusht do të nisin garat e atletikës, ndërsa më 31 gusht starton peshëngritja, një prej sporteve ku pritshmëritë për Shqipërinë janë të larta. Kuqezinjtë synojnë të shtojnë numrin e medaljeve dhe të vijojnë paraqitjen pozitive në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare.
KOHA JONË SONDAZH

