Shqipëria “paqe” me Greqinë, 0-0 në Elbasan
Shpresa e Shqipërisë barazoi 0-0 me Greqinë në “Elbasan Arena” duke regjistruar të tretin barazim ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në grup. Kuqezinjtë e drejtuar nga Redi Jupi regjistruan një rezultat pa gola, në një 90 minutësh të barabartë me pak raste nga të dyja ekipit, ku më i lëvizshmi në radhët e shpresës ishte Milot Rashica.
Shqipëria zbriti në “Elbasan Arena” me shumë emra të rëndësishëm në formacion, mes të cilëve dhe Rey Manaj e Milot Rashica, që më datë 29 mars pritet të debutojë dhe në Kombëtaren e madhe në ndeshjen me Luksemburgun.
Në fillim të ndeshjes u mbajt 1 minutë heshtje për viktimat në ngjarjen tragjike të Brukselit. Të mbështetur nga tifozët në tribuna, Shpresat kuqezi u përpoqën të kontrollonin lojën që në fillim, por rastin e parë e patën grekët me Koulouris që goditi jashtë nga një pozicion i mirë. Përgjigja e kuqezinjve erdhi me anë të Çekiçit, që gjithashtu nuk shënjestroi siç duhet portën. Në të 20-tën, Rashica goditi mirë në hyrje të zonës por topi i tij ishte në trajektore me trupin e Manajt dhe fatkeqësisht u devijua. Në një ndeshje përgjithësisht të qetë, grekët u përpoqën të rrezikonin dhe një herë tjetër në të 36-tën, por Strakosha u përgjigj mirë.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa të dytën Shqipëria e nisi më mirë, me Rashicën që sërish u përpoq të ndizte një shkëndijë për Shqipërinë, por Barkas reagoi mirë. Një minutë më pas Hoxhallari ndërhyri mirë në mbrojtje për të evituar golin e dizavantazhit. 10 minuta më pas, Strakosha bëri sërish një tjetër pritje vendimtare. Në të 62-tën, Manaj kishte mundësinë për të rrezikuar portën e grekëve, por nuk goditi menjëherë, me Barkas-in që reagoi mirë. Në të 69-tën, Manaj provoi driblimet në zonë, por u ndalua, duke pretenduar madje dhe për faull ndaj tij.
Mundësinë më të mirë, Shqipëria e pati në të 86-tën, me Rashicën, që mori mirë krahun la në qendër për Manajn, por goditja e tij përfundoi jashtë. Në të 92-tën për të mbrojtur rezultatin u nevojit dhe një ndërhyrje e Strakoshës,që la të paprekur portën e tij duke i dhënë pikën e nëntë në këto eliminatore Shqipërisë e duke mbajtur pas grekët në klasifikim, edhe pse këta të fundit kanë dy ndeshje më pak.
KOHA JONË SONDAZH

