Shqipëria synon fitoren ndaj Letonisë në transfertë, ja formacioni i mundshëm

Kombëtarja shqiptare përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës, ku do të përballet me Letoninë të martën në mbrëmje në Riga, me nisje nga ora 20:45.
Pas barazimit pa gola ndaj Serbisë, kuqezinjtë kërkojnë rikthimin te fitorja dhe tre pikët që do të rrisin shanset për kualifikim. Trajneri pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, për shkak edhe të mungesës së Berat Gjimshitit në qendër të mbrojtjes.
Thomas Strakosha pritet të rikthehet në portë që nga minuta e parë. Në prapavijë, krahët do të mbulohen nga Mitaj dhe Hysaj, ndërsa në qendër do të pozicionohen Ismajli dhe Ajeti.
Mesfusha do të mbështetet tek trinomi Asllani, Ramadani dhe Laçi, të cilët pritet të marrin përsipër drejtimin e lojës në mesin e fushës. Sulmi do të udhëhiqet nga Daku, me mbështetjen e Brojës dhe Asanit nga krahët.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë:
Strakosha – Mitaj, Ismajli, Ajeti, Hysaj – Asllani, Ramadani, Laçi – Asani, Broja, Daku.
Kuqezinjtë synojnë një paraqitje solide dhe efikase, për të mos lënë më pikë në këtë fazë të rëndësishme të kualifikueseve.