
Kombëtarja shqiptare U-21 ka mësuar kundërshtarët që do të ketë përballë në Kampionatin Europian të vitit 2027, një kompeticion ku kuqezinjtë do të jenë pjesëmarrës si një nga vendet organizatore, së bashku me Serbinë.
Shorti i hedhur në Beograd e ka vendosur Shqipërinë në Grupin B, aty ku do të përballet me tre përfaqësuese të forta të futbollit europian: Spanjën, Italinë dhe Finlandën.
Një grup me shkallë të lartë vështirësie për skuadrën kuqezi, e cila do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e të luajturit në shtëpi për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në këtë turne.
Ndërkohë, në Grupin A, Anglia do të ketë përballë Francën, Poloninë dhe Serbinë. Grupi C përbëhet nga Portugalia, Kroacia, Greqia dhe Çekia, ndërsa në Grupin D janë shortuar Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika.
Europiani U-21 do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, në shtatë qytete dhe tetë stadiume. Një nga momentet më të rëndësishme të këtij eventi do të jetë finalja e madhe, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Shqipëria do ta nisë aventurën e saj në këtë kompeticion në Serbi, përpara se turneu të vijojë edhe në stadiumet shqiptare. Për kuqezinjtë e rinj, ky Europian përfaqëson një mundësi të veçantë për të treguar potencialin e tyre në skenën më të rëndësishme të futbollit europian për këtë grupmoshë.
