Shqipëria zhgënjen sërish, mposhtet nga Luksemburgu në miqësoren e dytë radhazi

Kombëtarja shqiptare ka pësuar një tjetër humbje në ndeshjet miqësore të muajit qershor, duke u mposhtur 0-1 nga Luksemburgu në stadiumin “Air Albania”. Në sfidën e dytë nën drejtimin e trajnerit Roland Maran, Shqipëria nuk arriti të bindë as në lojë dhe as në rezultat, duke zhvilluar një paraqitje të vakët përballë një kundërshtari që shfrytëzoi rastin e parë serioz.

Luksemburgu kaloi në avantazh që në minutën e 8-të. Daniel Sinani finalizoi me sukses një aksion të shpejtë, pas asistit të Aimar Dardarit, i cili depërtoi lehtësisht në mbrojtjen shqiptare dhe krijoi hapësirën për golin e vetëm të takimit.

Pas pësimit të golit, kuqezinjtë tentuan të marrin kontrollin e lojës, por pa krijuar raste të pastra shënimi. Në fillim të pjesës së dytë, Maran ndërhyri me katër zëvendësime të menjëhershme, duke aktivizuar Ajetin, Shehun, Shpendin dhe Seferin në vend të Pllanës, Laçit, Ramadanit dhe Bajramit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rasti më i mirë për Shqipërinë erdhi në minutën e 57-të, kur Kristjan Asllani provoi të surprizonte portierin kundërshtar me një goditje spektakolare nga mesfusha, por tentativa e tij nuk gjeti kuadratin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe aktivizimi i Armando Brojës, Mirlind Pajazitit dhe Mirlind Dakut nuk solli ndryshimin e kërkuar. Përkundrazi, Luksemburgu ishte pranë golit të dytë në disa raste, por portieri Alen Sherri reagoi në mënyrë vendimtare, duke mbajtur ekipin në lojë deri në fund.

Pas 90 minutave, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Shqipëria regjistroi humbjen e dytë radhazi në miqësore, duke lënë shumë pikëpyetje përpara angazhimeve të ardhshme zyrtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?