Shtohen hallet e Piolit, Castillejo një javë jashtë fushave
Milanin e pret një javë shumë impenjative, teksa do të përballet me Lazion, Juventusin dhe më pas Napolin. Në prag të ndeshjes ndaj bardhekaltërve nga kryeqyteti, trajneri Stefano Pioli ka marrë një lajm të hidhur nga infermieria, pasi mesfushori spanjoll Samuel Castillejo do të mungojë për të paktën një javë dhe nuk do të jetë i gatshëm për asnjë prej këtyre tre sfidave.
Futbollisti spanjoll u dëmtua në ndeshjen me Spal-in dhe la fushën e lojës që në minutën e 16-të, ndërsa sot iu nënshtrua analizave të detajuara, të cilat konstatuan një dëmtim muskulor, që do ta mbajë larg fushave për të paktën 7 ditë.
Shpresat e mjekëve janë që futbollisti të mund të rikuperohet për përballjen e 15 korrikut ndaj Parmës, pasi deri të premten e ardhshme Castillejo do të qëndrojë pushim.