Si do të ndryshojë formacioni i Juventusit pas afrimit të Kolo Muani dhe Alajbegovic?
Kerim Alajbegović është praktikisht një lojtar i Juventusit. Ndërsa priten vizitat mjekësore, firma në kontratë dhe zyrtarizimi i transferimit, trajneri Luciano Spalletti ka nisur të mendojë se si do ta ndërtojë repartin ofensiv të bardhezinjve për sezonin e ri.
Në dy ndeshjet e para miqësore ndaj Baselit dhe Standard Liezhit, tekniku italian ka treguar se synon të rikthehet te skema e tij e preferuar 4-2-3-1, me Randal Kolo Muani si pikë referimi në sulm dhe tre lojtarë pas tij që do të garojnë për një vend titullari.
Një nga dilemat kryesore është mënyra se si do të bashkëjetojnë Kenan Yildiz dhe Alajbegović në repartin ofensiv. Yildiz mbetet zgjedhja e parë për krahun e majtë, por rinovimi i huazimit të Jeremie Boga dhe afrimi i talentit boshnjak i japin Spallettit më shumë alternativa.
Një prej zgjidhjeve është aktivizimi i Yildiz në të majtë dhe Alajbegović në të djathtë. Megjithatë, kjo nuk është pozita e preferuar e 19-vjeçarit boshnjak, i cili ndihet më komod në krahun e majtë, nga ku futet në qendër me këmbën e djathtë.
Këtë rol ai e interpretoi me sukses sezonin e kaluar gjatë huazimit te Salzburgu nga Bayer Leverkusen, ku regjistroi 44 paraqitje, shënoi 13 gola dhe dha katër asistime, shumica e tyre duke luajtur në krahun e majtë.
Në dispozicion të trajnerit është rikthyer edhe Francisco Conceição, i cili ka nisur përgatitjet me skuadrën. Një tjetër variant do të ishte vendosja e Conceição dhe Alajbegović në krahë, ndërsa Yildiz të luante në qendër si fantazist, një rol që konsiderohet më i përshtatshëm për talentin turk.
Nëse Conceição largohet gjatë kësaj vere, me Liverpoolin që vazhdon ta ndjekë, një alternativë interesante mund të jetë Ëeston McKennie. Amerikani mund të përdoret si një “fals” në krahun e djathtë, duke ndihmuar ekipin si në fazën sulmuese, ashtu edhe në balancimin e mbrojtjes.
Pikërisht fleksibiliteti i McKennie mund t’i japë Spallettit mundësinë për të aktivizuar njëkohësisht Alajbegović dhe Yildiz, dy futbollistë me cilësi të mëdha në sulm, por që nuk shquhen për kontributin në fazën mbrojtëse.

KOHA JONË SONDAZH

