Sinjale pozitive nga Anglia për Brojën, pritet të jetë gati ndaj Polonisë
Gjendja fizike e Armando Broja vazhdon të mbetet një nga çështjet kryesore përpara ndeshjeve të fazës “play-off” për Kupën e Botës 2026. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ende nuk është rikthyer plotësisht në dispozicion të skuadrës së tij Burnley.
Trajneri i ekipit anglez, Scott Parker, konfirmoi se sulmuesi kuqezi ka nisur të stërvitet sërish, por aktualisht po kryen vetëm seanca të lehta. “Armando është duke u stërvitur përsëri, por vetëm me ngarkesë të moderuar. Është në rrugën e duhur dhe do të shohim situatën sërish në fundjavë”, u shpreh Parker përpara përballjes me Bournemouth.
Sipas mediave britanike, Broja mund të rikthehet në dispozicion të Burnley-t për ndeshjen kundër Fulham, e planifikuar për më 21 mars. Nëse progresi i tij vazhdon pozitivisht, sulmuesi pritet të jetë i gatshëm edhe për grumbullimin me Kombëtaren shqiptare.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Sylvinho do ta përfshijë menjëherë në planet e tij për ndeshjen e parë të “play-off”-it ndaj Polonisë. Ashtu si zakonisht, gjendja fizike e Brojës dhe e lojtarëve të tjerë që vijnë nga dëmtime do të vlerësohet nga stafi mjekësor i kombëtares pasi të bashkohen me skuadrën në grumbullim.
KOHA JONË SONDAZH

