
Një incident i rëndë raportohet se ka përfshirë Mounir Nasraouin, babain e futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, në aeroportin Josep Tarradellas Barcelona-El Prat, pak para nisjes së tij drejt Londrës, ku do të mbahej ceremonia e ndarjes së çmimit të Topit të Artë. Në atë edicion, talenti spanjoll u rendit në vendin e tretë.
Sipas gazetës spanjolle El Español, Nasraoui ndodhej në një kafene të aeroportit, kur një punonjëse e lokalit i kërkoi të largonte një xhaketë të vendosur në një hapësirë ku nuk lejohej lënia e sendeve personale.
Një kërkesë që, sipas raportimit, shkaktoi përshkallëzim të menjëhershëm të situatës. Nasraoui dyshohet se reagoi me fyerje të rënda ndaj punonjëses dhe më pas e pështyu në fytyrë.
Situata thuhet se u tensionua edhe më tej, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të efektivëve të Gardës Civile spanjolle dhe të personave të pranishëm.
Sipas të njëjtit burim, Nasraoui tentoi të hidhte një karrige drejt personave që po përpiqeshin ta qetësonin, por ndërhyrja e tyre parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Incidenti ndodhi përpara se ai të hipte në avionin me destinacion Anglinë.
Ky nuk është rasti i parë kur emri i babait të futbollistit spanjoll shfaqet në kronikat e mediave. Në gusht të vitit 2024, Nasraoui u plagos me thikë në Mataró, në një incident që u raportua gjerësisht nga mediat spanjolle.
Gjithashtu, sipas raportimeve të mëparshme, në maj të vitit 2023 ai ishte dënuar për një sulm ndaj një stende elektorale.
