
Futbolli brazilian është tronditur nga një episod i paprecedentë dhune, ku një ndeshje e kampionatit U-20 mes Uberlandias dhe Mamoré përfundoi me plot 53 kartonë të kuq.
Takimi, i vlefshëm për gjysmëfinalen e Divizionit të Dytë të kampionatit të shtetit Minas Gerais, u zhvillua në stadiumin “Parque do Sabiá” dhe përfundoi me fitoren 3-1 të Mamoré. Megjithatë, rezultati sportiv mbeti në plan të dytë për shkak të përleshjes masive në fundin e sfidës.
Shkëndija që ndezi konfliktin erdhi pas golit të tretë të Mamoré, kur futbollisti Davi Bittencourt provokoi pankinën kundërshtare gjatë festimit. Reagimi i lojtarëve të Uberlandias ishte i menjëhershëm dhe situata degradoi në dhunë, me grushte e shkelma mes futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafeve.
Sipas raportit të arbitrit, në total u përjashtuan 43 futbollistë, tetë anëtarë të stafeve teknike dhe dy drejtues klubesh. Nga këta, 24 i përkisnin Uberlandias dhe 29 Mamoré.
Kështu, Brazili regjistron një rekord të ri, duke lënë pas shifrën prej 36 kartonësh të kuq të vendosur në futbollin argjentinas në vitin 2011.
