Skandal në Turqi/ 104 agjentë futbolli pezullohen për baste ilegale
Federata Turke e Futbollit (TFF) ka njoftuar një masë të paprecedentë në kuadër të hetimeve për bastet ilegale. Përmes një komunikate zyrtare, TFF bëri të ditur se ka dërguar për gjykim pranë Komitetit Disiplinor të Futbollit Profesional (PFDK) plot 104 agjentë futbollistësh, të dyshuar për shkelje të rregullave që lidhen me aktivitetet e basteve.
Sipas hetimeve federale, personat e përfshirë kanë qenë të licencuar dhe aktivë si agjentë në periudhën kur dyshohet se kanë vendosur baste, një sjellje e ndaluar shprehimisht nga rregullorja disiplinore. Për këtë arsye, Federata ka vendosur të zbatojë masat e parashikuara nga neni 57 i Kodit Disiplinor të TFF-së, në formë paraprake.
Duke nisur nga sot, 7 janar 2026, të 104 agjentët janë pezulluar përkohësisht dhe janë vënë nën gjykimin e PFDK-së, i cili do të shqyrtojë individualisht çdo rast dhe do të vendosë për sanksionet përkatëse. Dënimet mund të variojnë nga gjoba dhe pezullime, deri te masa më të rënda, në varësi të shkeljeve të konstatuara.
Ky rast përbën një nga procedurat disiplinore më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë në Turqi ndaj agjentëve sportivë dhe konfirmon qasjen e ashpër të Federatës në luftën kundër fenomenit të basteve, i konsideruar si një kërcënim serioz për integritetin e futbollit profesionist, pas përfshirjes së mëparshme të dhjetëra lojtarëve dhe arbitrove.
KOHA JONË SONDAZH

