Skandali i arbitrave në Itali thellohet, ja dy ndeshjet që janë nën hetim
Hetimi për çështjen e arbitrave në futbollin italian vazhdon të zgjerohet, me zhvillime që mund të shkojnë deri në nëntor dhe që, nëse konfirmohen shkelje, mund të sjellin pasoja disiplinore të shtyra deri në sezonin 2026/27. Sipas materialeve hetimore dhe dëshmive të mbledhura, brenda AIA ka dalë në pah ekzistenca e një sistemi të brendshëm të dyshuar ndikimi në emërime, i njohur joformalisht si “sistemi Rocchi”, i lidhur me figurën e Gianluca Rocchi. Sipas këtyre pretendimeve, disa arbitra do të kishin përfituar nga emërime të orientuara, që ndikonin në avancimin e tyre profesional dhe financiar, me ndeshjet e mëdha si një lloj shpërblimi për të afërtit me strukturën drejtuese.
Në dëshmi të publikuara nga La Repubblica, një arbitër shprehet se pas një përplasjeje me drejtuesit, nuk është aktivizuar më në Serie A, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të karrierave.
Një nga elementët më të diskutuar është përdorimi i sallës VAR në Lissone, ku sipas prokurorëve, ndërhyrjet e njohura si “bussate” (sinjale apo komunikime të brendshme) rezervoheshin për arbitrat më të afërt me Rocchin. Kjo, sipas hetimeve, ndikonte në vlerësimet e tyre dhe në ngjitjen në hierarki. Madje, dyshohet se disa dhoma specifike në këtë qendër ishin të destinuara për arbitra të caktuar, duke lehtësuar komunikimin dhe koordinimin.
Në fokus të veçantë janë edhe dy ndeshje të rëndësishme të Serie A: Bologna–Inter dhe Inter–Milan. Sipas raportimeve, dëshmitë e arbitrave kanë konfirmuar dyshimet se për këto sfida janë bërë emërime të dirigjuara. Emrat e arbitrit Colombo dhe Doveri janë përmendur si pjesë e këtij mekanizmi të supozuar, ku njëri konsiderohej i favorshëm dhe tjetri jo për Inter. Prokurori Ascione do të duhet të provojë në gjykatë se këto përzgjedhje nuk janë bërë mbi bazë meritokracie.
Një tjetër pikë e errët mbetet takimi i zhvilluar më 2 prill 2025 në stadiumin San Siro, ku Rocchi dyshohet se ka takuar një ose më shumë persona nga bota e arbitrimit. Deri tani nuk ka persona të hetuar nga klubet e Serie A, por identiteti i pjesëmarrësve në këtë takim mbetet ende i paqartë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ky informacion ka dalë nga dëshmitë apo nga përgjime të mundshme, ndoshta të siguruara në mënyrë indirekte nga hetime të tjera, si ato ndaj grupeve ultras të Interit dhe Milanit.
KOHA JONË SONDAZH

