Skënder Gega: Në kombëtare vjen ai, që bën diferencën
Trajneri i kombëtares U-21,Skënder Gega, thotë se skuadra që ai drejton ka hasur jo pak probleme, pasi disa nga lojtarët e tij nuk janë lejuar t’i bashkohen ekipit shpresa nga klubet ku ata luajnë. Kombëtarja e 21 vjeçarëve të Shqipërisë do të niset sot për të zhvilluar fazën përgatitore në Turqi. Në këtë turne, trajneri Skënder Gega do provojë disa futbollistë me të cilët mendon se do të mund të përballojë sezonin e ri. Trajneri i kuqezinjve para këtij turneu thotë se ka hasur probleme, pasi disa nga lojtarët e tij nuk janë lejuar nga klubet ku luajnë, që t’i bashkohen ekipit në fazën përgatitore. Gega, 51- vjeç, tregon qëllimet e këtij grumbullimi, i ndërgjegjshëm se vjen në një periudhë jo fort të përshtatshme. – “Kemi pasur probleme me ekipet ku luajnë futbollistët tanë, pasi disa prej tyre nuk janë lejuar të vijnë. Është një moment i papërshtatshëm për të zhvilluar miqësore, sepse e fillojmë sezonin në mars. Dëshirojmë të seleksionojmë lojtarë dhe të mos bëjmë eksperimente gjatë sezonit, që të jemi sa më të përgatitur. Jemi një muaj përpara ndeshjes së parë dhe tani duhet të fillojmë ndërtimin e strukturave,” – shprehet Skënder Gega. Kombëtarja U-21 ka qenë së fundmi një trampolinë e mirë për disa nga futbollistët e kombëtares, të cilët pas aktivizimit me shpresat kanë fituar një skuadër më të mirë në kerrierën e tyre. Gega bën të ditur se strategjia do të jetë e njëjtë, ku në skuadër do të afrohen futbollistë që kanë luajtur edhe me ekipet e moshave të Shqipërisë. -“Edhe vjet kemi pasur shumë futbollsitë të rinj, madje me moshe më të vogël duke qenë ekipi më i ri në Europë për këtë grupmoshë. Edhe këtë vit do të ndjekim të njëjtën strategji, pasi nuk duhet të humbim lidhjet midis skuadrave të moshave. Për të shkuar në kombëtare kjo është një trampolinë. Një pjesë e ekipit kombëtar sot janë ish- lojtarë të shpresave si Vajushi, Balaj, Hysa, Batha, Kace etj.” Trajneri Skënder Gega duket i kënaqur nga ky fakt dhe shpreson që në të ardhmen numri i tyre të shtohet në Kategorinë Superiore. – “Në klubet shqiptare ka një numër të lartë futbollistësh të rinj që shpresoj të rritet dhe në ekipin tonë do të vijnë më të mirët. Raste ka plot si Krymi dhe Kalaja tek Vllaznia. Të bëhesh pjesë e kombëtares, më parë duhet të bësh diferencën tek ekipi ku aktivizohesh. Kemi edhe lojtarë që luajnë jashtë dhe për këtë arsye ka konkurrencë,” shprehet ai. Skënder Gega ka grumbulluar në çastet e fundit sulmuesin e Partizanit Jurgen Bardhi. Apolonia ka refuzuar të çojë në këtë grumbullim mesfushorin Realdo Fili. Gjithashtu për shkak se janë në prag të kampionatit me 21 vjeçarët nuk janë bashkuar as shkodranët Krymi dhe Kalaja, futbollistët e Partizanit Rrahmani dhe Vatnikaj si dhe ata të Teutës Hyseni e Hoxhallari.
Kosovari nuk lejohet nga Gent, të bashkohet me kuqezinjtë
Ish-talenti i Trepçës ’89, Rron Broja, është ftuar nga trajneri i Kombëtares Shqiptare, në turneun përgatitor të Turqisë, por nuk është lejuar nga ana e klubit belg ku luan aktualisht. Broja kishte marrë ftesën nga U-21, që drejtohet nga Skënder Gega, mirëpo, edhe pse pati fatin të ishte i ftuar në ekipin përfaqësues shqiptar, nuk është lejuar nga klubi i tij. Broja ka kaluar te Genti i Belgjikës, dhe sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ai është penguar nga ana e klubit.
KOHA JONË SONDAZH

