Skënderbeu buzëqesh, rikuperohet Salihi
Lajme shumë të mira për Skënderbeun në prag të sfidës ndaj Beshiktashit në Europa League. Në debutumin e tyre historik në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, korçarët do të mund të mbështeten edhe te sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi. 31-vjeçari është riaftësuar në kohë rekord nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen përballë Vllaznisë të Mërkurën e kaluar dhe sipas të gjitha gjasave do të zbresë në fushë në sfidën e kësaj të Enjteje ndaj Beshiktashit. Falë edhe ndihmës së fizioterapistes serbe Marjana Kovacevic, e cila shquhet për rifatësimet e futbollistëve në një kohë shumë të shkurtër, Salihi pasditen e kësaj të Hëne u stërvit rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës madje duke luajtur me kohë të plotë edhe ndeshjen që kampionët Shqipërisë zhvilluan brenda grupit. Fillimisht u fol se bomberi shkodran do të mungonte për 3 javë, por Salihit i mjaftuan tre seanca fizioterapie te mjekja serbe Marjana Kovacevic për t’u vendosur sërish në dispozicion të trajnerit Mirel Josa. Në një bisedë për Sport Neës pa praninë e kamerave, 31-vjeçari theksoi se ndjen ende pak dhimbje dhe në dy ditët në vazhdim do të kuptohet më mirë nëse ai do të zbresë në fushë ndaj Beshiktashit, por që gjithsesi shanset që Salihi të luajë që nga minuta e parë përballë turqëve janë të mëdha. Në seancën e fundit stërvitore trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa kishte në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve me përjashtim të mbrojtësit Kristi Vangjeli, i cili ka marrë leje nga klubi për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së tij, e cila ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë. Gjithsesi edhe ky i fundit do të jetë i gatshëm për sfidën e të Enjtes. Ndërkohë dhe Tefik Osmani e ka hedhur pas krahëve dëmtimin që e ka mbajtur jashtë fushave të futbollit për më shumë se 1 muaj dhe është gati të ndihmojë skuadrën në ndeshjen ndaj Beshiktashit. Sfida e “Elbasan Arenas” mes Skënderbeut dhe formacionit nga Stambolli do të transmetohet drejtëdrejt në Supersport në orën 21:05 të kësaj të Enjteje.
KOHA JONË SONDAZH

