Skënderbeu merr bullgarin Genev për mbrojtjen, por nuk luan në Champions
Skënderbeu ka bërë një përforcim në orët e fundit para ndeshjes me ekipin gjeorgjian, Milsam, në Ligën e Kampioneve. Duke qenë se dështoi në huazimin e përkohshëm të Arlind Ajetit dhe Ervin Bulkut, presidenti Ardian Takaj ka menduar të bëjë një sforco tjetër financiare. Tefik Osmani është jashtë fushave të lojës për të paktën dy muaj, ndaj qendra e mbrojtjes korçare mbetej zbuluar. Josa duhej të adoptonte dy lojtarë përkrah Radasit, edhe pse ajo kishte “kostot” e veta, sidomos në turin e tretë kualifikues, ku gabimet duhet të jenë sa më të pakta, për të ecur më tej. Po ashtu, fillimi i kampionatit do ta gjente zbuluar skuadrën kampione në këtë pikë nevralgjike të fazës difensive, kështu që është konkluduar në afrimin e një mbrojtësi bullgar. Fjala është për Viktor Genev, 26 vjeç, me eksperiencë të konsiderueshme, që ka luajtur edhe me Kombëtaren U-21 të vendit të tij. Ai ka lindur më 27 tetor 1988 në Sofie, kryeqytetin bullgar, ndërkohë që ka dalë si futbollist nga Levski Sofia. Aty ka nisur të luajë edhe me ekipin e parë, në periudhën 2007-2010. Në këtë kohë ka regjistruar 22 ndeshje të luajtura. Gjatë këtij 3-vjeçari është huzuar edhe te Montana, skuadër me të cilën ka luajtur 14 ndeshje. Tri sezone (2010-2013), Viktor Genev ka luajtur për ngjyrat e Slavia Sofia. Gjatë 59 ndeshjeve me këtë skuadër të kryeqytetit bullgar, Genev ka shënuar edhe 3 gola. Po ashtu, ka pasur një periudhë huazimi te Krylia Sovetov në vitin 2011, si dhe te Oleksandria në vitin 2012. Një sezon, 2014-2015, ka luajtur me Spartak Semey të Kazakistanit. Një gol në 29 ndeshje të luajtura ka regjistruar në këtë eksperiencë, para se të transferohej te St. Mirren në janarin e këtij viti. Me skuadrën skoceze ka luajtur 6 ndeshje. Nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të luajë titullar që ndaj Milsamit, nesër në mbrëmje, apo jo. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se këtë do ta vendosë trajneri Mirel Josa, pasi ta shohë në seancën e fundit stërvitore që skuadra do të kryejë sonte në stadiumin ku do të luhet ndeshja nesër. Kontrata e firmosur me mbrojtësin qendror bullgar është 6-mujore. Bullgari figuron zyrtarisht lojtar i Skënderbeut, ndërsa në listën e lojtarëve të federuar nga kampionët e Shqipërisë në UEFA nuk është shtuar akoma deri mesditën e së hënës. Ky do të jetë bullgari i dytë te kuqebardhët, sepse më herët ka mbërritur nga Rijeka edhe sulmuesi Hristov, që e nisi titullar në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Crusadersit në Korçë.
KOHA JONË SONDAZH

