Skënderbeu merr kreun, Flamurtari: Trajneri na ikur në drejtim të paditur

 

Skënderbeu fitoi në shtëpi ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-0, pasi krijuan volum loje dhe raste të njëpasnjëshme. Pjesa e parë mbyllet në shifrat e bardha 0-0, por në 45 minutat e dyta korçarët kalojnë në avantazh me anë të Hamdi Salihit. Bernard Berisha fiton një 11-metërsh, të cilin e kthen në gol sulmuesi shkodran, Salihi. Kampionët vihen në vështirësi në minutat e fundit të sfidës nga vlonjatët me anë të Lushtakut por futja e Latifit në fushë gjallëron akoma më shumë sulmin e bardhekuqve, të cilët arrijnë ta mbyllin takimin 2-0 me golin e Olainkës, në  fundi të shtesës. Me këtë fitore, Skënderbeu merr kreun përkohësisht deri në ndeshjen e nesërme të Partizanit. Sakaq, Flamurtari nuk është drejtuar nga stafi që nisi sezonin. Trajneri çek Stanislav Levi ka ikur para ndeshjes duke lënë një shënim dhe duke habitur edhe drejtuesit, aq sa presidenti Sinan Idrizi tha se  “s’di gjë për Levin”.  Më tej shtoi se: “Levi ka ikur në drejtim të paditur. Jam habitur vërtet me lajmin, nuk di asgjë për trajnerin. Nuk e prisja këtë veprim prej tij. Ai është larguar bashkë me ndihmësit e tij. Ka lënë një shënim në klub, ku thoshte se largohej urgjentisht për arsye personale,” – theksoi Idrizi.  Flamurtari ka pasur probleme me rrogat gjatë javës së fundit. – “Nuk e di për çfarë ka ikur, por ndoshta kthehet edhe sot dhe vihet në drejtimin e ekipit. Nëse ka ikur për problemet financiare, kjo gjë nuk ka të bëjë me të, por me mua si administrator. Kot ka marrë përsipër përgjegjësi që nuk i takojnë dhe s’kishte gjë në dorë,” – shprehet presidenti i Flamurtarit. Ndaj Skënderbeut, ekipin e Flamurtarit e drejtoi Gent Mezani.

Tirana, Kukësi, Partizani

Swiss Digital Desktop Reklama

Dy ndeshjet e mbetura të javës së fundit në Kategorinë Superiore, do të kenë rëndësi për objektivat e skuadrave pretendente. Partizani do të përballet në Durrës me Teutën vendase dhe kërkon fitoren, që të mbajë kryesimin dhe të ecë më i sigurtë drejt titullit kampion. Ndeshja që do të luhet në “Qemal Stafa”, Tirana-Kukësi, do të jetë edhe sfida më e rëndësishme e javës së  9-të në Kategorinë Superiore. Kukësi ka hasur vështirësi në ndeshjet jashtë fushe, por kapiteni Rrahman Hallaçi shprehet se ndaj bardhbluve, ndonëse fitorja është e vështirë nga emri dhe eksperienca e kundërshtarit, Kukësi kërkon triumfin e konfirmimit. Në kampin tjetër, largimi i trajnerit Shkëlqim Muça ishte kulmi i një situate delikate që Tirana përjetoi gjatë ditëve të fundit por tashmë ekipi shikon përpara dhe synon të kthejë faqe. Ilir Daja ka marrë drejtimin e grupit duke rritur optimizmin për kthimin në rrugën e rezultateve pozitive. Mbrojtësi Gentian Muça që në këtë sfidë do të mbajë shiritin e kapitenit, shprehet se Tirana po punon për të rikthyer besimin te tifozët dhe drejtuesit dhe grupi është fokusuar vetëm te sfida me Kukësin ku kërkon të marrë maksimumin. Pas 8 javëve të para Tirana mban vendin e 5 në klasifikim me 10 pikë, 6 më pak se Kukësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Agonia e Vllaznisë

Armir Grima nuk e fshehu zhgënjimin e humbjes, teksa kritikon paraqitjen e portierit, që bëri një gafë, duke e zotëruar topin jashtë zonës së 16-metrave dhe la Vllazninë me një lojtar më pak, prej minutës së 53-të të ndeshjes me Bylis. – “Kishim ardhur për të fituar dhe kisha shumë besim, ashtu siç po shkonte takimi. Portieri na dëmtoi shumë, por kjo është përgjegjësia ime, pasi duhej të kisha bërë një zgjidhje tjetër,” – theksoi Grima. “Kur rezultati ishte 2-1, nuk kishim çfarë të humbnim, ndaj u hodhëm në sulm, me shpresën se do të barazonim. Iu afruam shumë golit, por në momentin tonë më të mirë u ndëshkuam. Pavarësisht humbjes, i përgëzoj lojtarët për shpirtin që dhanë në fushë, edhe pse ishim me një lojtar më pak.” Ermal Nexhipi, trajneri i portierëve të Bylisit, nuk e fshehu gëzimin e fitores së parë në këtë kampionat, duke shpresuar se ka nisur kthesa e skuadrës së tij. “Javë pas javë jemi munduar ta rrisim nivelin e lojës. Pas barazimit në Vlorë, ja ku erdhi edhe fitorja e parë. Kjo ishte një ndeshje, në të cilën na duhej fitorja me çdo kusht. Ne besuam deri në fund tek ajo dhe e arritëm. Shpresoj shumë të vazhdojnë në këtë rrugë, për t’iu larguar sa më shumë fundit të renditjes dhe të mos rrezikojmë mbijetesën në Superiore,” – theksoi Nexhipi.

 

Kategoria Superiore

Java e 9-të/ 31 tetor

BYLIS-VLLAZNIA                   3-1

Shënues: Muça 13’, Pepa 74’, Hyshmeri 90+4’/ Soza 34’

 TËRBUNI-LAÇI                    1-1

Shënues: Dhrami 45’ / Kruja  40’

Skënderbeu – Flamurtari        2-0

Shënues: Salihi 58′, Olainka 90+3′

1 nëntor 2015

TEUTA-PARTIZANI           (17:00)

TIRANA-KUKËSI               (14:00)

Klasifikimi

 

Skënderbeu       22

Partizani             22

Kukësi               16

Teuta                 14

Laçi                   11

Tirana                10

Flamurtari          9

Vllaznia              5

Bylis                  5

Tërbuni             4

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?