Skënderbeu mund me dy “perla” Partizanin dhe merr vendin e tretë (VIDEO)
Skënderbeu e ka nisur ashtu siç e la para ndalimit të futbollit nga pandemia. Skuadra korçare triumfoi 2-1 në stadiumin “Selman Stermasi” ndaj Partizanit, duke marrë suksesin e 5-të radhazi në kampionat. Të kuqtë kishin kontrollin e plotë të lojës duke rrezikuar disa herë portën e korçarëve. Gjithsesi në fundin e pjesës së parë Skënderbeu bën atë që nuk pritej duke shënuar dy gola në harkun e pak sekondave.
Në minutën e 42-të, pas një goditje nga këndi Gripshi godet fluturimthi nga distanca duke shokuar portierin Hoxha, i cili nuk mundi që ta ndalte me gjithë zgjatjen e tij. Pak sekonda më pas, Krasniqi shërben një top në zonë për Ditën, i cili me një kthesë të bukur e dërgon sërish në rrjetë.
Në pjesën e dytë skuadra e Sormanit kërkon me ngulm golin, ndërkohë që arbitri Jorgji 10 minuta nga fundi nuk pa një penallti të pastër të Ditës pas një prekje të topit me dorë. Në minutën e 85-të, Ferhati rihapi ndeshjen me një goditje të bukur me të majtën në hyrje të zonës.
Pavarësisht përpjekjeve të Partizanit, rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund. Skënderbeu ngjitet në vendin e tretë me 44 pikë, ndërkohë që Partizani tashmë mban vendin e 7-të me 38 pikë. /Rozalb Lika-Koha Jone/