Skënderbeu nis arratinë, e ndjek Kukësi, Tirana “hesht”

Në ndeshjet e javës së tretë të Kategorisë Superiore, që u luajtën të shtunën Skënderbeu shënon fitoren e tretë radhazi në Pukë, Kukësi fiton ndaj ndal Teutën që kishte fituar dy ndeshje radhazi. Ekipi i Mirel Josës merr i vetëm kryesimin, ndërsa verilindorët vihen pas kampionëve në fuqi, teksa ndalën bregdetarët. Tirana, një tjetër pretendente hodhi një hap të gabuar në “Qemal Stafa” me ballshiotët debutues, ndërsa të djelën zbresin në fushë Partizani, që kërkon vendin e dytë nëse fiton me Vllazninë në Pukë dhe Flamurtari, që kërkon fitoren e parë me Laçin në Peqin,  pas dy humbjeve befasuese në startin e këtij sezoni. 

Tërbuni-Skënderbeu 0-2

Skënderbeu nuk ndalet edhe pas javës së tretë të Kategorisë Superiore. Të besuarit e Mirel Josës pas Kukësit dhe Vllaznisë, mposhtën edhe Tërbunin me rezultatin 2-0, duke marrë maksimumin e pikëve në tre javët e para, pa pësuar ende asnjë gol. Në ndryshim nga sfida e së mërkurës ndaj shkodranëve ku shënoi Arapi këtë herë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës fitoren e vendosi Piter Olainka, me dy gola. Fitorja e Skënderbeut mund të ishte edhe më e thellë, por kjo nuk ndodhi për meritë të portierit të Tërbunit, England Haxho. Këtë sfidë e ndoqën edhe disa drejtues të ekipit turk të Beshiktashit që interesoheshin nga afër për kampionët e Shqipërisë, ë prag të sfidës së 17 shtatorit që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kukësi-Teuta 3-0

Swiss Digital Mobile Reklama

Kukësi fiton dhe kërcen “samba” përballë Teutës. Tre gola brazilianë të Felipe Moreira, Kariokës dhe Floresit i dhanë fitoren e pastër ekipit verilindor, që i shkaktuan humbjen e parë Teutës. Felipe Moreira  kombinoi në 7’ me bashkëkombasin e tij Karioka, duke mposhtur Rizvanin për herë të parë në këtë sezon. Karioka në 17’ i dha një tjetër top për Floresin, që shpërdoroi. Kjo ndeshje u tensionua në 33’, pas një përplasje mes Malotës dhe Hilës. Futbollisti i Kukësit goditi dy herë me shkelm kundërshtarin, teksa ky i fundit ishte i shtrirë. Hila reagoi dhe Jemini u ndëshkoi të dy me të kuq. Kukësi vazhdoi të ishte këmbëngulës dhe në 40’, pretendoi dhe një 11-metërsh përpara se Moreira të ndalej nga Rizvani në përpjekje për të shënuar golin e dytë. Pjesa e dytë nisi ashtu si e para, me Kukësin që gjeti sërish rrjetën, këtë herë falë Kariokës. Teuta në 62’ pati shansin për të hapur ndeshjen, me Lamçjen, por Koçi bëri një tjetër pritje fantastike. Në 82’, Karioka mund të kishte shënuar dhe golin e dytë personal, por u ndal nga Rizvani që mbylli mirë zonën. Atë që nuk bëri Karioka e bëri Flores, që në 86’ shënoi me një goditje nga distanca. 3-0 mbyllet ndeshja në favor të Kukësit.

Tirana-Bylis 0-0

Befasia në ndeshjet e javës së tretë mban emrin e Tiranës. Bardheblutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça lënë dy pikë përballë Bylis të Ballshit. Tirana kërkoi tre pikët, por edhe Bylis nuk u tregua inferior në  fushë. Muçka në pjesën e dytë ndërron disa nga titullarët, por pa efekt dhe Bylis me meritë i shkëput dy pikë Tiranës.  Tirana edhe pse e nisi ndeshjen me një formacion ku luanin lojtarë si Muça, Karan, Smajli, Gerxhaliu, Bulku, Karabeci, Vucaj, Lika, Bakaj e Gilberto, nuk tregoi atë që pritej në fushë dhe la dy pikë.

Kategoria Superiore

Java e tretë – Sot

Tërbuni-Skënderbeu      0-2

Kukësi- Teuta                 2-0

 Tirana-Bylis                  0-0

13-shtator

Flamurtari-Laçi (Peqin)

Vllaznia-Partizani (Pukë)

 

Flamurtari, pa trajnerin Levy  në Peqin ndaj Laçit

Flamurtari do të luajë të djelën pa trajnerin Stanislav Levy në stol, përballë Laçit. Problemet shëndetësore të teknikut çek kanë bërë që Levy të mos udhëtojë drejt Peqinit, ku nesër edhe do të zhvillohet ndeshja Flamurtari-Laçi, e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore, që ka një rëndësi për Flamurtarin, i ndodhur me zero pikë në dy javët e para të kampionatit. Trajneri Levy prej dy ditësh ka pasur shqetësime shëndetësore, duke bërë që Flamurtari të drejtohet nga zv. trajneri në ndeshjen me Laçin. Ndeshja mes Vllaznisë e Partizanit do të luhet  po sot në stadiumin e Pukës.

 

Skënderbeu:

Josa: I  kënaqur me rezultatin, tani shohim nga Beshiktash

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa u shfaq i kënaqur me lojën dhe rezultatin në transfertën e fundit të Pukës, pas ndeshjes me ekipin vendas të Tërbunit. – “Ne kishim probleme në ndërtimin e lojës, sepse Tërbuni u tërhoq në mbrojtje por me kalimin e minutave gjendja fizike e Tërbunit ra dhe nuk patëm probleme nga kundërsulmet. Lojtarët e mi duhet të jenë sa më të saktë dhe të mos shpërdorojnë shumë pasime. Pavarësisht kësaj dy golat erdhën si pasojë e këmbënguljes tonë nga krahët”. Trajneri Josa qartësoi situatën e Latifit, pas daljes së tij nga fusha e lojës, duke theksuar se sulmuesi kosovar vuan nga një virozë dhe nuk ka asgjë serioze. Kosovari Bernard Berisha Berisha, u konsideruar më i miri në fushë ndërsa Josa shtoi se ai hodhi në fushë skuadrën më të mirë, duke justifikuar në këtë mënyrë mungesën e maqedonasit Hristov. Josa nuk bëri premtime për ecurinë në Europa League, teksa ekipi korçar do të ndeshet në mesjavë me ekipin  turk. Skënderbeu duhet të jetë i bashkuar dhe mundohet të luajë futbollin që di të shfaqë në fushë.

Tërbuni

Samuel Nikaj: Besoj se kemi forca për të ardhmen

Trajneri i Tërbunit të Pukës, Samuel Nikaj e pranoi se skuadra zhvilloi një ndeshje pozitive, por përballë Skënderbeut, nuk mund të merrte më shumë se humbja. –  “Deri në minutat e fundit isha i dyzuar për strategjinë që do të ndiqnim. Në letër ne ishim të humbur prandaj nuk jam mërzitur shumë me këtë humbje por jam mbushur me besimin sepse ekipi ka forca për të bërë mirë në të ardhmen,” – theksoi Nikaj. Tërbuni është skuadër debutuese në Superiore, dhe i ka humbur ndeshjet e para me ekipet pretendente për titull brenda fushës së  vet, si Tirana e Skënderbeu. Trajneri i Tërbunit e pranoi se Skënderbeu është një kundërshtar superior dhe skuadra e tij duhet t’i kërkojë pikët me rivalë të tjerë.

Kukësi

Hasan Lika: Skënderbeu, rivali ynë kryesor për titull

Drejtori teknik i Kukësit, Hasan Lika, pas fitores 3-0 me Teutën,  thotë se fitorja bindëse është ndihmuar nga golat e shpejtë. – “Nuk mund të themi që kemi qenë dominues në harkun e 90 minutave. Kemi zhvilluar një lojë të kujdesshme në anën taktike, e kishim të qartë që Teuta do të ushtronte presing. Sigurisht jemi ndihmuar nga shënimi i golave të shpejt dhe kjo na ka ndihmuar ta dominojmë ndeshjen,” – thekson Lika. Ai vlerësoi aftësitë individuale të lojtarëve brazilianë të Kukësit, që vulosën suksesin e dytë sezonal. – “Në futboll ka ligje që edhe mund të thyhen. Prej ngjitjes në elitë, Kukësi doli menjëherë nënkampion. Prej tre sezoneve radhazi e kemi mbyllur kampionatin në vendin e dytë. Edhe në këtë sezon pretendojmë për titull, pavarësisht se kemi një rival të fort si Skënderbeu, ndërsa në garë janë edhe dy-tre skuadra të tjera.

 Teuta

Gugash Magani: Humbëm prej gabimeve tona

I zhgënjyer nga humbja, trajneri Gugash Magani, humbjen ia faturon mungesës së eksperiencës dhe gabimeve të lojtarëve të tij.  – “Gjatë gjithë kohës e mendoja, që në këtë ndeshje mund të vinin të tre rezultatet, pasi kishim përballë një skuadër që në letër është më lart se ne. Nuk mund të them i zhgënjyer, por më tepër për se për meritë të kundërshtarit, humbëm prej gabimeve tonë. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të analizojmë ndeshjen. Jam optimist sepse kam një skuadër të re. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë, pasi kampionati është i gjatë dhe ky rezultat negativ nuk është fundi i botës pasi jemi mundur nga Kukësi.”

Tirana

 Muça: Na mungoi agresiviteti dhe finalizimi

Trajneri Shkëlqim Muça, pas barazimit të djeshëm shprehu pakënaqësi që bardheblutë lanë dy pikë, në përmbushje të objektivit. “Ekipi krijoi volum loje, dominoi dhe personalisht mendoj se kjo ishte ndeshja më e mirë Tiranës në 3 javët e para, por me mungesën e finalizimit dhe normalisht që, po nuk shënove, nuk fiton. Kuptohet, edhe Bylisi u mbyll mirë pas dhe nuk na lejoi shumë hapësira. Nuk do ta quaja kundërshtar modest. Grupi duhet të jetë me agresiv, sidomos në fazën sulmuese, të insistojë më fort për të shënuar. Tirana duhet të finalizojë më shumë, sepse na mungon goli dhe, po nuk shënove, nuk arrin të çlirohesh edhe psikologjikisht”, – u shpreh fillimisht trajneri Muça. Sa i përket pyetjes se kur do ta shohim Tiranën që të gjithë presin, sidomos tifozët bardheblu, tekniku Muça është përgjigjur: “Nuk mund të jap datë precize, por ne për këtë po punojmë, nga dita në ditë, nga java në javë, po rritemi, futbollistët po lidhen më shumë me njëri-tjetrit dhe po harmonizohen. Ka pasur shumë hyrje-dalje dhe natyrisht që do kohën e nevojshme për secilin të ambientohet. Sa u përket zëvendësimeve, asnjë lojtar nuk e pranon të ulet në stol, por vendimet na përkasin neve, pasi ekipi duhet freskuar, ka shumë arsye që ata në fushën e lojës nuk i kuptojnë. Tirana do ta ngrejë shumë nivelin e lojës, për këtë të jeni të bindur, edhe fitoret do të vijnë.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?