Skënderbeu “paqe” me Tërbunin, Partizani nën presion
Ndeshjet e radhës në Kategorinë Superiore, për shkak të motit, kanë vënë në vështirësi tre klubet e veriut, përkatësisht Kukësin, Pukën dhe Shkodrën. Në Shkodër reshjet e shumta kanë dëmtuar stadiumin e dytë të këtij qyteti, “Reshit Rusi”. Prandaj është dashur që klubi të marrë masa në dy ditët e fundit për të rikuperuar gjendjen. Në Kukës, bora e dendur është pastruar me shpejtësi në 24 orët e fundit, duke i hapur rrugë zhvillimit të ndeshjes me Teutën. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në Pukë, pasi vendasit në vend të pastronin fushën kanë preferuar që të luajnë në Tiranë me Skënderbeun, për shkak të motit dhe borës që mbuloi fushën e këtij qyteti.
Skënderbeu
Klubi i Skënderbeut njoftoi se sfida e radhës midis Tërbunit të Pukës dhe Skënderbeu do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”. “Reshjet e shumta të dëborës në qytetin e Pukës e kanë bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes atje, prandaj të dy klubet kanë rënë kompromis duke marrë edhe miratimin e Federatës që sfida të zhvillohet në Tiranë. Takimi do të luhet në ora 13:00, në “Qemal Stafa”,-sqaron klubi korçar. Aktualisht, Skënderbeu ndodhet në krye të klasifikimit në Kategorinë Superiore me 46 pikë, i ndjekur nga Partizani në vendin e dytë me 44 pikë. Tërbuni ndodhet në fund të tabelës me 11 pikë por kjo zhvendosje duket se ka vënë Partizanin në presion, pasi presupozohet se rivali për titull do ta ketë më të lehtë fitoren në një fushë asnjanëse.
Partizani
Partizani një ditë para ndeshjes me Vllazninë arriti akordin me talentin Realdo Fili, i cili është zyrtarisht lojtari më i ri të kuqve. Lojtari 19- vjeçar pasi ka mbyllur detyrimet me klubin e Apolonisë ka arritur marrëveshjen me 15-të here kampionët e vendit. Mesfushori me tipare sulmuese, njëkohësisht edhe pjesëtar i ekipit tonë përfaqësues U-21 ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë 3 vjeçare dhe do t’i bashkohet skuadrës në fillim të javës së ardhshme. Barazimi 1-1 i javës së kaluar me Flamurtarin, detyron sot të kuqtë të fitojnë në Shkodër, për të qëndruar në garë për titull me Skënderbeun.
KOHA JONË SONDAZH

