Sormani: Goditje e rëndë në derbi, ju tregoj pse s’do flas më për arbitrat

Adolfo Sormani, para ndeshjes me Teutën, ka dalë në konferencë për shtyp. “Është një situatë nga ku duhet të dalim. Morëm një goditje të fortë në derbi, pavarësisht asaj që skuadra dha në fushë. Gjithsesi duhet të shohim përpara”, tha fillimisht italiani për mediat.

I pyetur se çfarë vlerëson pozitive në ndeshjen me Tiranën, ai thotë: “Të luash për 75 minuta me një lojtar më pak dhe të realizosh 10 goditje këndi, tregon se kemi bërë një ndeshje të mirë”. Më pas Sormani flet edhe për shanset që kanë për titullin kampion.

“Humbja në derbi ishte goditje e madhe për objektivin titull. Tani detyra jonë kundër klubit dhe tifozëve është që të luajmë gjithçka”, u shpreh tekniku i “demave”. Në lidhje me gabimet në mbrojtje, Sormani shtoi: “Nëse do të kisha një përgjigje, nuk do t’i bënim. Jam dakord me konstatimin. Kemi gabimet tona, pavarësisht se çfarë prodhojnë kundërshtarët”.

“Teuta? Sigurisht është e vështirë, sikurse të tjerat. Vijmë nga një derbi që mund të ketë ndikuar në aspektin psikologjik. Ata kanë lojtarë cilësorë dhe janë ekip dinamik. Prandaj do të jetë një ndeshje e fortë”.

“Formacioni? Do shohim gjendjen e të gjithëve, si janë. Duhet të jemi konkrete dhe efikasë në rastet që na paraqiten në ndeshje. Broën në sulm? Më vjen keq që luajti pak në derbi. Po shfaqej mirë, por duhet të bëja një zgjedhje. Në aspektin e dinamizmit Bardhi është ai që jep më shumë dhe mbajta atë në fushë”.

“Telushi? Sot është stërvitur dhe është ‘OK’. Megjithatë nesër do të konfirmojmë nëse është në 100%. Po ishte, do të jetë në fushë. Trashi? Po stërvitet në palestër, nga dje. Dëmtimi i tij ka qenë i rëndë. Do vazhdojë për disa ditë në palestër. Gjendja e tij është nën monitorim. Po punojmë që të mos humbasë gjendjen fizike, që të kthehet në të njëjtin nivel”.

“Gjykimi? Nuk flas më për këtë çështje. Flasim për futboll. Nëse më pyesni për futboll, do të flas”, tha Sormani, i cili më pas komentoi edhe ndryshimin e stadiumit ku do të luhet takimi me Teutën. “Shpresojmë që me këtë zgjedhje të na ecë mbarë. Nuk është çështje tersi. Kemi luajtur mirë në ‘Air Albania Stadium’. Po i kthehem pyetjes së mëparshme për arbitrat. Komentet e mia në dy ndeshjet e mëparshme janë komentuar si një justifikim nga ana ime. E theksoj se nuk justifikohem. Jam marrë me pjesën se si menaxhohet ndeshja dhe jo për vendimet”.

“Mala? Po punon mirë. E dimë që nuk është në gjendjen më të mirë, por ka një fizik që e kap shpejt ritmin. Do jetë i barabartë shumë shpejt me pjesën tjetër të grupit”, tha trajneri italian.

“Besimi pas humbjes në derbi? Dua të sqaroj diçka për të gjithë: Presidenti është zotëri dhe kur të mos jetë i kënaqur mund të më thotë të iki nga skuadra dhe do përshëndetem me të gjithë. Tani që flasim, ka zëra, por askush nuk e vë në dyshim atë që po shfaq skuadra. Po zhvillojmë ndeshje të mira. Marrëveshja ime është afatgjatë. Demi është largpamës dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin. Stadiumi që po bën e përforcon edhe më shumë këtë. Kjo tregon planet dhe objektivat që ka”./abcnews.al

SHKARKO APP