Sormani: Koha është e vogël për stërvitje, do të ketë shumë dëmtime!
Partizani ka nisur nga dita e djeshme përgatitjet për rifillimin e sezonit, që është planifikuar për në datën 3 qershor. Trajneri i të kuqve, Adolfo Sormani ka folur për mediat ku është shprehur se dëmtimet do të jenë problemi kryesor në këtë rifillim.
“Rifillimi i kampionatit? Unë jam i mendimit se kjo është diçka që i takon qeverisë, nuk i takon institucioneve të futbollit. Nuk na takon ne që të zgjidhim. Kur të krijohen kushtet e duhura, atëherë kampionati duhet të rifillojë. Unë mund të shtoj se koha që kemi në dispozicion për t’u stërvitur është e vogël dhe ndeshjet do të luhen në temperatura të larta, pra do të shoqërohen me shumë dëmtime. Në Gjermani, që në javën e parë të rifillimit, pati një numër të dëmtuarish të frikshëm.
Objektivi? Situata është e çuditshme dhe është shumë e vështirë të bësh parashikime. Është si të parashikosh diçka që nuk e ke provuar, nuk e ke jetuar kurrë më parë. Mendoj se do të jetë çështje motivimi dhe vullneti.
Forma e Partizanit dhe rivalët? Duhet të di se çfarë kanë bërë të tjerët. Për momentin, mund të flas vetëm për çfarë kemi bërë ne. Padyshim, nëse ndonjë skuadër ka pasur mundësi të stërvitet në kushte më normale, duke pasur edhe topin, atëherë do të ketë avantazh, të paktën do të ketë më pak dëmtime, kjo është e sigurt.
Rreziku nga koronavirusi? Këtë gjë duhet ta diskutoni me mjekun tonë, me stafin mjekësor. Nuk jam në gjendje të bëj një vlerësim dhe nuk është kompetenca ime që të flas për këtë. Mendoj se përderisa federata i ka dorëzuar një protokoll qeverisë dhe kjo e fundit ka dhënë leje, do të thotë se të gjithë mund të jenë të sigurt me këtë protokoll”, u shpreh Sormani.